Të lexuarit në jetën tonë është shumë i rëndësishëm. Librat të mësojnë për jetën, vendimet e duhura, vështirësitë, e shumë gjëra të tjera në jetë. Më e rëndësishmja, ndikojnë në krijimin si qenie njerëzore.
Për një të ardhme të ndritur librat duhet të jenë pjesë e jetës sonë që nga fëmijëria. Kështu thotë edhe Zgjim Sherifi nga libraria “Dukagjini”.
“Librat në përgjithësi janë të rëndësishëm, sidomos librat për fëmijë. Prindërit e kanë detyrë që fëmijëve t’u lexojnë përralla, tregime të ndryshme për fëmijë, që më vonë të kenë zhvillim të lartë intelektual. Leximi ndikon në imagjinatën tonë, në fjalorthin e në ngritjen intelektuale në përgjithësi. Sipas disa studimeve, thuhet se fëmijëve duhet t’iu lexohet edhe kur janë foshnja, sepse ndikimi në gjendjen emocionale të tyre është e pabesueshme, sepse fëmijët aq të vegjël nuk kuptojnë por më vonë e kanë më të lehtë të të nxënit”, deklaron Sherifi.
Ai flet për 3 librat që mund të ndikojnë në zhvillimin e inteligjencës e po ashtu edhe në forcim të memories tek të vegjlit.
“Unë kam zgjedhur 3 libra që duhet pasur në rafte secila shtëpi: i pari është ‘Si të rritësh një fëmijë të mrekullueshëm metoda mentesori’, i dyti ‘Truri i fëmijës u shpjegohet prindërve’ dhe i treti ‘Mentaliteti për prindërit’. Këta janë librat adekuat për t’ua lexuar fëmijëve dhe për të mësuar më shumë për brendësinë e tyre. Libri i parë flet për metodën e mentesorit, ky libër mëson si ta zhvillojmë fëmijën intelektualisht, si t’i zhvillojmë aftësitë e tyre kognitive me lojëra e lexime të ndryshme”, thotë Sherifi.
Sipas studimeve, në gjashtë vjetët e parë të jetës truri i fëmijëve ka potencial për të kuptuar dhe nxënë më shumë. Andaj në këtë periudhë përpjekja për të zhvilluar trurin e fëmijëve duhet të jetë më e lartë.
“Libri i dytë përpos pjesës intelektuale të jep njohuri edhe atë emocionale, një gjë shumë e rëndësishme në zhvillimin e fëmijës. Shprehia e të lexuarit fillon qysh nga fëmijëria, ata imitojnë prindërit e tyre, andaj është shumë e rëndësishme që edhe moshat madhore të kenë libra pranë vetes kur janë me fëmijët e tyre”, tregon Sherifi.
Sipas Sherifit, fëmijëve duhet lexuar vazhdimisht derisa të fitojnë shprehinë e të lexuarit.
“Libri ‘Mentaliteti për prindërit’ iu dedikohet prindërve se si ata duhet fillimisht të edukohen e pastaj ta vazhdojnë atë te fëmijët e tyre. Është strategji për t’i nxitur mentalitetet e zhvillimit te fëmijët. Prindërit dhe fëmijët janë më shumë të fokusuar tek tregimet, përrallat, por edhe te librat që mësojnë për brendësinë tek fëmijët. Shembull libri ‘Truri i fëmijës’ nga autori Daniel Siegel është një nga librat më të shitur e pastaj vijnë librat me tregime. Fëmijët janë ata që i sjellin më shumë prindërit në librari, u pëlqejnë librat me lojëra, por edhe ata me përralla. Një këshillë për prindërit, t’iu lexohet fëmijëve që nga djepi derisa ata të rriten e të kuptojnë se leximi me të vërtetë është shumë i rëndësishëm”, thotë Sherifi.
Kohët e fundit vërehet tendenca e fëmijëve për të lexuar libra në gjuhë të huaja, sidomos në atë angleze. Shumica prej tyre janë zbavitëse, pasi që përshkruhen edhe me ilustrime shumëngjyrëshe, gjë që edhe leximin e bën të duket më atraktiv.