SOT

Libër bashkëshortit që humbi gjymtyrët në luftë

“Mbretëresha e natës”, “Trëndafilin që nuk e vyshkën stuhitë”, “Më fal shpirt” në dy pjesë janë titujt e katër librave që janë shkruar nga autorja Fjolla Muhaxhiri-Agusholli. 
Përurimi i dy librave të fundit u bë të shtunën e kaluar.  

Në secilin libër janë pasqyruar copëza jete të shkrimtares duke përfshirë sfidat e saj dhe të familjarëve. 

Ndonëse prej moshës 20-vjeçare e ka humbur shikimin, Fjolla nëpërmjet shkrimit mundohet që të jetë motiv për të tjerët. 

Në librat e sapobotuar, shkrimtarja tregon se në thelb ka paraqitur një histori të shkurtër të bashkëshortit të saj, Shpëtim Agusholli, veteran e invalid lufte, i cili ka humbur gjymtyrët. 
Mes rreshtave të librit, Fjolla e shpreh edhe dashurinë e madhe që e ka për burrin e vet.  

“Libri i parë ka qenë me poezi në vitin 2022, i cili titullohet “Mbretëresha e natës”. Pastaj në vitin 2023 erdha me romanin “Trëndafilin që nuk e vyshkën stuhitë”, i cili është roman autobiografik. Ky libër është pritur aq mirë sa që nuk e kam pritur që do të ecë me hapa të vrullshëm nga lexuesit. Kjo ishte një shtysë që këtë vit të vij me dy vepra të reja ku kanë tregime, pason njëra pas tjetrës. Tregimet të gjitha janë të jetësuara, që i kanë jetuar njerëzit si të afërmit, familjarët po ashtu edhe unë një pjesë”, thotë ajo. 

“Në mesin e krejt atyre tregimeve si ide kam pasur që në çdo dhimbje të paraqitet forca dhe të kuptohet se si të ngrihet njeriu pasi që rrezohet dhe nuk sheh asnjë rrugëzgjidhje për të. Ky ishte i gjithë synimi im që jeta është e bukur dhe duhet të vazhdohet edhe më tej. Çdo tregim e paraqet këtë motiv, këtë dëshirë time si autore për lexuesit e mi”, shton Muhaxhiri-Agusholli. 
Librat e autores kryesisht kanë tematikë sociale. Thotë se edhe përkundër sfidave të jetës duhet të gjendet motivi për të mos u dorëzuar.  

“Pas çdo sfide të dhimbshme e të rëndë, të cilat lënë shenja në jetë nuk është patjetër të flitet me zë. Edhe nëse je rrëzuar 100 herë, kur të çohesh herën e 101-të, atëherë çohu më e fortë dhe vazhdo tutje”, tregon ajo. 

Dan Ibrahimi është i pari që i ka lexuar librat e shkrimtares. 

Si redaktor i librave, portretizimin e çiftit e sheh madhështor dhe motivuese për lexuesit. 

“Pjesa më madhështore në dy librat e Fjollës ka qenë portretizimi i ushtarit të lirisë, në këtë rast bashkëshortit të Fjollës. Edhe vetë kam qenë pjesë e luftës dhe jam ndjerë i relaksuar sepse kam parë një portretizim të asaj pjese të historisë sonë në mënyrën më të dinjitetshme të mundshme të shkruar. Nuk është vetëm kjo tema e Fjollës në librat e saj. Ajo që spikat është edhe optimizmi i saj për jetën, dashuria për jetën, bashkëshortin, familjen dhe njeriun”, thotë Ibrahimi. 

Edhe Adem Xheladini, recensent i librave e vlerëson punën e shkrimtares Fjolla Muhaxhiri-Agusholli.
“Ishte kënaqësi e veçantë të notoj nëpër atë det të rrëfimit. Nuk flas shumë por do të mundohem të godas në thelb. Fjolla është sfidantja e jetës”, thotë Xheladini. 

Vlerësime, lëvdata e shtytje tutje për shkrime të tjera të librave, Fjollës i dhanë shumë prej shkrimtarëve të njohur në Kosovë, të cilët ishin të pranishëm në përurimin e dy librave të saj.  

“Fjollën e kam takuar në takimet që i kem bërë për librin e letërsinë shqipe, e nëpërmjet saj e njoha edhe Shpëtimin, atë e njoha pa mos e parë kurrë. Me të thënë të drejtën e admirova për shumë arsye. E admirova për dy arsye që i kishte të mëdha njëra që ishte për dashurinë e atdheut dhe tjetra dashuria e një engjëlli, Fjollë”, tha shkrimtari Gani Bytyçi. 

“Talenti, inteligjenca janë në skajet e trurit te secili person. Fjolla natyrisht e ka përkushtimin, prirjen-talentin. Me gishtërinjtë e saj prekim edhe në botën e saj, siç i prek ajo ndjenjat tona. Para se të jenë tregime janë një tregim intim i saj. Unë i uroj Fjollës një perandori të librit në letërsi e krijimtari, e të ecën me këto hapa siç ka ecur deri më sot”, thekson shkrimtari tjetër Abdullah Zeneli.

Edhe Pranvera Veliu, ish-gazetare, e vlerëson krijimtarinë e Fjollës. Thotë se është motivuese për të tjerët. 

“Është vërtet një person që të kupton, e kupton edhe atë që sheh, që nuk ec, që nuk fol dhe e meriton një duartrokitje”.   

Fjolla Muhaxhiri-Agusholli me librat e saj mundohet të përcjellë te lexuesit e saj optimizmin, forcën dhe motivin për të jetuar tutje pa u ndalur.