SOT

Lexueset e reja që u bënë edhe shkrimtare

I kanë zgjedhur librat e autorëve të preferuar për t’i lexuar në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Taukbahçe. 

Janë këta nxënësit e shkollës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, të cilët u mirëpritën nga bibliotekarja. 

“Mirë se keni ardhur nxënës të dashur nga shkolla ‘Pjetër Bogdani’. Ju e di që jeni të rregullt e madje mes jush kemi tash edhe shkrimtare. Andaj për sot po ju uroj lexim të këndshëm”, thotë Afërdita Pacolli, bibliotekare në “Hivzi Sylejmani”.

Nxënësit e klasës së tetë e të nëntë të kësaj shkolle aktivitetet e këtilla i kanë të shpeshta. 
Çdo muaj pos librave të obliguar nga shkolla, arsimtarja e gjuhës shqipe Sadije Ademi-Ahmeti i dërgon në këtë bibliotekë për t’i lexuar librat e autorëve të preferuar të librave për fëmijë.  

“Këto orë si kjo e sotmja këtu në bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’ janë më se të mirëseardhura. Zakonisht kemi edhe orë jashtë kurrikulës mësimore, ku zhvillojmë aktivitete të shumta për të nxitur leximin. Vetëm më duhet ta theksoj se vite më parë gjeneratat e kaluara kanë lexuar më shumë”, thekson Sadije Ademi -Ahmeti, mësimdhënëse në “Pjetër Bogdani”.

Në mesin e këtyre nxënësve, 5 prej tyre tashmë janë edhe autore librash për fëmijë. 

Për Mjaltën, nxënëse e klasës së 9-të, leximi e shkrimi u bënë hobi i saj qysh kur ishte e vogël. 

Tash ajo është autore e një libri, njësoj si edhe dy nxënëset Surea e Nahari. 

“E vogël kam nisur me leximin e librave e pastaj edhe nisa të shkruaj ese e poezi. Sot si nxënëse e shkollës ‘Pjetër Bogdani’ jam në grupin e nxënëseve që kanë edhe libra të botuar. Unë kam tashmë librin tim që e kam shkruar si autobiografi e ku i përshkruaj etapat e mia që i kam kaluar deri tani. Meqë jemi duke jetuar në kohë digjitalizimi, librat thuajse më shumë po i lexoj online”, thotë nxënësja në “Pjetër Bogdani”, Mjalta Lezi.

“Këtu vijmë me shumë qejf, sepse e shfrytëzojmë kohën për t’i lexuar librat e autorëve që i duam. Unë si nxënëse kam botuar tash edhe librin tim me përralla, të cilin e kam shkruar për t’iu shërbyer moshave të vogla”, shton Nahar Rrmoku nxënëse në “Pjetër Bogdani”.

E nxënësja Surea Kastrati, thotë se zakonisht i lexon autorët e njëjtë dhe ua përcjell veprat që ata i botojnë.

“E librin që unë e kam shkruar ia kam dedikuar pikërisht librit, si porosi për t’i nxitur edhe bashkëmoshatarët e mi që të lexojnë, sepse na ka kapluar epoka e teknologjisë”, thekson ajo. 

Orët e tilla mësimore që zhvillohen në ambientet e bibliotekës janë të mirëpritura nga bibliotekarja Afërdita Pacolli. 

“Jam shumë e lumtur që mundem t’i pres fëmijët e shumë shkollave të Prishtinës këtu në bibliotekë. Sidomos kur e shoh që në mesin e tyre ka shumë të tillë që pos leximit kanë nisur edhe të shkruajnë e janë bërë edhe shkrimtarë. Apeli im do të ishte që sa më shumë orë të tilla të organizohen, pasi që fëmijët janë dhënë shumë pas teknologjisë, andaj duhet t’i kthejnë sytë kah libri”, deklaron ajo.