SOT

Kurseu 2 mijë monedha 5-centëshe, me to krijoi mozaik të Marilyn Monroe

Para një kohë kishte filluar kursimin e 5-centëve, të cilët i mbeteshin në xhep, kur erdhi koha për t’i numëruar, ngjyrat unike të secilës monedhë bënë që Bleart Kokollari të mendonte krijimin e një mozaiku përmes tyre.

Janë rreth 2 mijë monedha 5-centëshe, prej të cilave Blearti nga Suhareka arriti të realizonte portretin e Marilyn Monroe.

Pothuajse një javë kohë i mori portreti që nga fillimi i tij e deri në finalizim që të merrte pamjen siç e ka tani.

Mozaiku i të riut nga Suhareka shtoi kureshtjen e të gjithëve për ta parë nga afër, por edhe që ta bënin për vete. Madje në një periudhë të shpejtë ai mori 2 oferta për blerjen e tij.

Figura e Marilyn Monroe nuk do të mbetet mozaiku i vetëm nga Blerati, ai synon edhe krijimin e shumë të tjerëve në mënyra të ndryshme, por edhe më sfidues.

Blearti ka në plan hapjen e një ekspozite, ku të gjitha veprat e tij artistike do të paraqiten para publikut, e shitja e tyre do bëhet përmes një ankandi.

Thotë se artin e deshi që i vogël e të preferuara i ka edhe punimet e tjera me laps, me të cilat i kishte fillimet si artist.

Blerati e ka të mbushur një kënd të shtëpisë me punimet artistike e secili më i veçantë se tjetri, madje herë pas here merr porosi nga të tjerët që portretet e tyre ai t’i punojë në pëlhurën e bardhë.