Storia në vazhdim na njofton me një mërgimtar i cili kur doli në pension dëshira të kthehet në vendlindje ishte e madhe, por meqë deshi të kthehej, mendoi të hapte një biznes i cili sjell teknologjinë më të re në vend, ai tani po krijon panele ngrohëse e që pritet që ky sistem ngrohës të përdoret mjaft shumë në vitet në vazhdim, kush është mërgimtari dhe më shumë detaje rreth tij e punës që po e bën e kuptojmë nga materiali në vazhdim.
Është afër të 70-ave, e edhe pse doli në pension, punën nuk po e ndal, porse tani atë po e zhvillon në vendin e tij të lindjes, në Ferizaj.
Shefqet Elezi i kaloi rreth 30 vjet si mërgimtar në Gjermani, atje krijoi familje e ushtroi shumë profesione, por qëkur u pensionua u kthye në vendlindje, e madje edhe hapi një biznes.
Tash e disa muaj mërgimtari ka filluar prodhimin e paneleve ngrohëse, që, sipas tij, është i pari në Ballkan që punon module të tilla.
Prodhimin e paneleve ngrohëse nuk e ka të fokusuar veç në krijimin e të ardhurave financiare për vete, por dëshira e tij është që përvojën e fituar në vendet e huaja ta sjellë atë në atdheun e tij, e veçanërisht t’i përgatitë gjeneratat e reja në këtë fushë.
Në këto pak muaj sa ka filluar në prodhimin e tyre, mërgimtari thotë se ka pasur shumë kërkesa, porse i vetëm vështirë po ia del.
Në krahasim me pajisjet e tjera, përparësitë e përdorimit të paneleve ngrohëse janë të shumta, pos që ruajnë xhepin e konsumatorëve, ky lloj i prodhuar nga mërgimtari nuk ka asnjë efekt anësor në shëndet.
Ai kërkon mbështetje nga institucionet, pasi që aktualisht ka të rinj që duan të marrin zanat tek ai, porse nuk ka kushte për t’i punësuar të tjerë.
Ngrohja përmes këtyre paneleve është në mënyrë të shëndetshme, e kursen energjinë elektrike, e për estetikë secilit prej tyre mund të u vendoset çfarëdo fotografie që klientët duan ta kenë në muret e shtëpisë, e në të njëjtën kohë edhe të ngrohen me to.