SOT

Kroi i Prevallës, për të cilin krijohen radhë të gjata për mbushje uji

Qytetarët nuk po i ndal as bora e as temperaturat e ulëta për të marrë rrugën drejt Prevallës, si një nga destinacionet më të mira për mushkëritë e shëndetin në përgjithësi.

Pos ajrit tejet të pastër, tashmë Prevalla po pëlqehet edhe për ujin, i cili po konsiderohet shumë cilësor dhe i lehtë për organizmin.

Nga të gjitha trevat po vijnë të mbushin ujë në një krua në Prevallë që rrjedh vazhdimisht, madje ka edhe mërgimtarë që kur vijnë në vendlindje vetëm këtë ujë e kërkojnë.

Mërgimtari Rifat Zejna, Prevallën e krahason me Alpet zvicerane duke shtuar se natyra e uji në këtë vend janë shumë më të mira sesa ato në Zvicër.

Ilir Reçica nga Fushë-Kosova është i zakonshëm këtu. Ai tregon se ka shumë të interesuar saqë ka pasur raste që ka pritur më shumë se 1 orë për të mbushur ujë ky krua.

Nga vizitorët e shpeshtë të Prevallës janë edhe disa të huaj, të cilët dikur erdhën vetëm për të eksploruar këtë vend e tani uji është arsyeja kryesore që ata i sjell këtu.

Për Shaban Arifin nga Gjilani tash po bëhen 5 vjet që uji i Prevallës është kryesori në shtëpinë tyre, duke shtuar se secili ushqim bëhet edhe më i shijshëm me përdorimin e tij për përgatitje, e në veçanti çaji.

Prevalla është një ndër vendet turistike më të preferuara në vend si në sezonin e verës ashtu edhe gjatë dimrit. Shumë qytetarë shkojnë aty dhe qëndrojnë me ditë të tëra për shkak të ajrit terapeutik që ka dhe është shërues ndaj shumë sëmundjeve e në veçanti ato të frymëmarrjes, e kjo ndodh nga gërshetimi i dy rrymave ajrore, kontinentale dhe asaj mesdhetare.