Para disa javëve u organizua një iniciativë për të bojkotuar disa nga marketet e mëdha kosovare, por në realitet nuk ishte edhe aq i suksesshëm. Ekspertët thonë se kosovarët nuk janë mirë të organizuar kur u preket xhepi i tyre dhe nuk marrin pjesë në protesta kur bëhet thirrja, madje edhe qytetarët thonë se kanë punë të tjera për t’u marrë dhe kjo i takon shtetit të veprojë, gjitha këto mendime i shohim tani nga materiali në vazhdim.
Ka shumë raste nëpër botë kur protestat masive të qytetarëve kanë detyruar qeveritë të dorëzohen para kërkesave të tyre, ose kanë sjellë ndryshime rrënjësore për përmirësimin e mirëqenies së popullit.
Ndonëse kohët e fundit të shpeshta kanë qenë rastet e rritjes së çmimeve të ushqimeve, karburanteve e edhe kostove të jetesës, në Kosovë protestat nuk janë të tilla, pavarësisht ndikimit të drejtpërdrejtë në xhepin e qytetarëve.
Edhe në ato raste kur ka iniciativa numri i pjesëmarrësve nuk është i lartë në krahasim me periudhat e fushatave elektorale, kur sheshet e qyteteve mbushen plot.
Qytetarët shprehen se nuk kanë kohë për t'u angazhuar në protesta, duke theksuar se është detyrë e institucioneve të merren me përmirësimin e mirëqenies së tyre.
“Mendoj se këto gjëra duhet t'i rregullojë qeveria e institucionet, qytetari ka obligimet e veta është i angazhuar, ne kemi telashe tona të përditshme dhe kjo nuk ndodh vetëm me ne, është treg i lirë, e kështu xhepi ynë po varfërohet dita-ditës. Po të kishim një institucion që organizon ndonjë protestë ndoshta edhe do iu kishim përgjigjur por kështu kalon heshtazi dhe ne po e kalojmë kështu”, tha pensionisti Osman Vitija.
“Si ta shohësh të zotin e shtëpisë, ashtu veprojnë edhe anëtarët e shtëpisë, nuk ka organizim, duhet pasur organizim për gjithçka, më herët fshatarët kanë organizuar për gjithë fshatin me dalë me rregullu ndonjë rrugë ose diçka të tillë, tani këto organizime mungojnë dhe prandaj nuk kryhet asnjë punë siç duhet”, tha pensionisti Sylejman Muçiqi.
Sipas sociologut Alber Mecini, qytetarët janë të prirë të shohin interesin personal para atij grupor, e prandaj organizimet e tilla dhe revoltat për të drejtat e tyre vështirë se i bëjnë bashkë.
“Ne e kemi parë se të rinjtë nëpër fushata janë aktivë, por jo si më herët. Te ne politika nuk ka krijuar mundësi dhe qytetarët e shohin tani interesin personal dhe jo atë grupor. Kur cenohet interesi personal mund të bëjnë ndryshim, por kur ka të tilla që prekin gjithë shoqërinë nuk kemi qytetarë aktivë”, tha Mecini.
Ai shton se, dikur, qytetarët ishin të rezervuar ndaj protestave për shkak të dëshirës për të mbështetur shtetin e tyre në vitet e para të pavarësisë.
“Menjëherë pas pavarësisë ka qenë entuziazmi që të kontribuojmë për shtetin, por me kalimin e kohës ka filluar të zbehet për shkak të dinamikave politike, e tani përgjegjësia e qytetarëve karshi shtetit nuk është më në nivelin siç ka qenë më herët”, tha ai.
Ekonomisti Mustafë Kadriaj thotë se kosovarët nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e aktivizimit qytetar. Ai shton se, kudo në botë, çfarëdo rritje e çmimeve shkakton menjëherë kundërshtime të ashpra nga qytetarët e zakonshëm, ndërsa në Kosovë tubimet më të mëdha shihen kryesisht gjatë fushatave partiake.
“Këtu ka vetëm mos vetëdije e qytetarëve dhe mos aktivizim, sepse në bazë të të hyrave të vendit me këtë pagë, niveli i mirëqenies e gjithçka tjetër nga ana ekonomike qytetarët e tjerë të botës në lëvizje të çmimit kanë vetëdije të qytetarëve e për të mbrojtur mirëqenien e tyre, në Kosovë vetëdijen e kemi të ulët dhe në kampanja partiake nuk i zënë sheshet, e kur ka të bëjë me rritje të çmimit të energjisë, shportës, shëndetësisë nuk ka reagim nga qytetarët”, tha Kadriaj.
Kadriaj thotë se shteti nuk mund të mbrohet përderisa ne kënaqemi me çdo gjë që na ofrohet. Sipas tij, edhe në rastet e protestave, mund të bëhen ndryshime që prekin xhepin tonë, por që gjithashtu ndikojnë në ekonominë e vendit.
“Është një keqkuptim i mbrojtjes së shtetit, kur është në pyetje interesi ynë dhe i familjes këtu nuk është diçka që mbrohet shteti por abuzojmë me veten, kemi nivel të ulët të emancipimit të qytetarëve tanë”, tha ai.
Së fundmi, pati një nismë qytetare për t’i bojkotuar supermarketet kosovare si pasojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë. Megjithatë, sipas ekspertëve, bojkoti nuk rezultoi aq i suksesshëm, pasi, përveç mbështetjes së madhe në rrjetet sociale, në realitet u vërejt e kundërta.