Artefaktet e ruajtura si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, dëshmojnë për kulturën e vjetër shqiptare. Një pjesë e kësaj trashëgimie ruhet në muzeun e Pejës. I njohur si konaku i “Tahir Beut”, ekziston një hapësirë në këtë muze që ruan shumë objekte e veshje tradicionale shqiptare të shekujve të mëhershëm. Në tetëmujorin e parë të këtij viti konakun e kanë vizituar rreth 1500 vizitorë të huaj dhe vendorë.
Në këto hapësira shekuj më parë natën e kanë kaluar tregtarë e kalimtarë të ndryshëm.
Konaku i “Tahir Beut” u ka bërë konak dhe ka shërbyer si bujtinë për shqiptarët dhe të huajt që nga shekulli i XVIII.
Edhe pas katërqind vjetësh, origjinaliteti i tij po ruhet. Qilimat e veçantë të punuar nga gratë shqiptare me motive kombëtare, veshjet tradicionale e po ashtu edhe enët me të cilat janë ushqyer të ftuarit, e bëjnë këtë konak unik.
Interesi i vizitorëve të huaj për ta vizituar konakun nuk mungon.
Sipas drejtoreshës Besa Berisha, nga muaji janar deri në muajin gusht konakun e kanë vizituar 1500 turistë.
“Konaku i “Tahir Beut”, një pikë turistike e rëndësishme në trashëgiminë kulturore të Rrafshit të Dukagjinit. Për këtë fakt është edhe i vizituar edhe nga shumë turistë nga vende të ndryshme të botës edhe pse ne asnjëherë nuk jemi të kënaqur me numrin e vizitorëve, gjithmonë synojmë të kemi edhe më shumë, anadaj edhe organizojmë edhe aktivitete. Mund të themi që jemi të kënaqur nga periudha janar-gusht këtu kanë qenë mbi 1500 vizitorë dhe synojmë që deri në fund të vitit synojmë të kemi edhe më shumë, po besoj që do t’i shtojmë edhe vizitat e nxënësve”, tha Berisha.
Secila gjë në këtë konak bart në vete një histori. E disa nga eksponatet janë më të vjetra se vet konaku.
Së fundmi në këto hapësira historike zuri vend edhe xhubleta, e cila u soll nga një familje shqiptare nga New Jersey i Amerikës në Pejë.
“Këtu i kemi të paraqitur edhe disa mjete që më herët i kanë përdorur për me përpunu leshin mandej ngjyrosja është bërë në mënyre natyrale. Xhubleta para një muaji neve na është sjellë nga një familje prej New Jerseyt të Amerikës. Ata kanë shprehë dëshirën që të jetë në muzeun tonë. Xhubleta është veshje katolike e cila është veshur më shumë në Mal të Zi, në Rugovë dhe në Shkodër”, tha etnologia Arjana Begolli-Nikshiqi.
Përveç hapësirave brenda të pasura edhe oborri i konakut është i mbushur me objekte të vjetra arkeologjike, që tërheq vëmendjen e turistëve.
“Sektorin e arkeologjisë e kam hapur më 18 maj të vitit 2014, për herë të parë unë jam autorë dhe këtu ne muzeun e Pejës e kemi filluar që të bëjmë mbledhjen e artefakteve arkeologjike. Është e rëndësishme që Peja me vendbanime fillon të ndërtohet që nga periudha parahistorike është me rëndësi të theksohet fakti që në parahistori kemi disa vendbanime duke filluar që nga shpella e Radavcit që këto vendbanime na tregojnë që kemi trashëgimi shumë të vjetër, në vazhdimësi Peja zbret në antikitet dhe normalisht është vendbanimi në Gradinë, të asaj periudhe janë edhe objektet që janë këtu, si Stella dhe Cipusi si dhe shumë objekte të tjera të cilat e pasurojnë këtë lokalitet”, tha arkeologu Sefer Lajqi.
Konaku i “Tahir Beut”, paraqet llojin më të bukur të shtëpive të vjetra të qytetit në Pejë.
Shtëpia ruhet si monument kulturor i ndërtuar nga mjeshtërit shqiptarë në vitin 1800.
Konaku ka qenë i vendosur në qendër të qytetit, ndërsa në vitin 1960 iu ndërtua lokacioni i ri duke e vendosur në sheshin e tanishëm Haxhi Zeka.