Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që të subvencionojë kurset e gjuhëve të huaja, e po ashtu edhe kursin e programimit, për të rinjtë e kësaj komune. Kryetari, Ferit Idrizi, ka thënë se kjo është ajo që institucionet duhet të bëjnë për t’i ndalur të rinjtë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë.
Ditën e nis më ndryshe sesa shumica prej moshatareve të saj.
21-vjeçarja Azra Qunglla, pas ndjekjes së kursit të gjuhës gjermane, të cilin ia kishte subvencionuar Komuna e Vushtrrisë, tashmë është e punësuar në një kompani me të cilën Komuna ka bërë marrëveshje.
Punën e saj me konsumatorë, Azra e quan zbavitëse dhe një përvojë shumë të mirë.
“Unë punoj në Departamentin service & tech. Jam në këtë departament që nga fillimi i punës. Nuk ka qenë aspak e vështirë pjesa e trajnimit, me ndihmën e profesionistëve këtu është e lehtë. Nuk është shumë nëse për 1 vit e kryen kursin dhe pastaj do të kesh një punë shumë të mirë. Mundësi jashtëzakonisht e mirë edhe subvencionimi, me një shumë të vogël mundesh me investua dhe në një të ardhme të afërt mundesh me e pasë një punë shumë të mirë”, thekson ajo.
Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, thotë që për subvencionimin e kursit të gjuhëve për qytetarët ai ka bërë zvogëlimin e buxhetit për investimet kapitale në qytet.
Përveç gjuhëve të huaja, Komuna ka subvencionuar edhe qytetarët që dëshirojnë të mësojnë ndonjë zanat tjetër.
“Vetëm në vitin 2023 nga ky subvencionim kanë përfituar 1219 të rinj dhe të reja nga kurse të gjuhës gjermane, angleze dhe gjuhë frënge në SPEEX, që kap vlerën e 127 mijë e 60 euro. Në anën tjetër, kemi investuar edhe në arsimin për të rritur dhe zanatlinjtë dhe shumica prej tyre e kanë kryer shkollën dhe trajnimin në ‘Diakonie Kosova’, si elektrosaldues e saldues i ngrohjes qendrore, elektricist, grimere dhe parukeri, nga kjo kanë përfituar 37 kandidatë dhe ne si komunë kemi paguar 9100 euro. Për vitin 2024 ende nuk i kemi nxjerrë statistikat, sepse ende nuk ka përfunduar viti”, deklaron ai.
Idrizi beson se kjo është një mënyrë që shteti t’i mbajë të rinjtë në Kosovë.
“Përveç tregut vendor, të rinjtë e këtyre profesioneve po i kërkon edhe tregu ndërkombëtar,e që mund të punojnë nga Kosova për kompani botërore. Në kohën që ne po jetojmë, programerët që jetojnë në Kosovë kanë të ardhura të mira. Këtë gjë e kam pasur parasysh dhe jam shumë i lumtur që kam pasur mundësinë që të nënshkruaj marrëveshje me kompani. Ne do të nënshkruajmë marrëveshje edhe me kompani të tjera edhe për trajnimin e grupmoshave më të vogla, me qëllim që të rinjtë dhe të rejat të kenë një orientim të mirë në karrierë. Kjo është e vetmja mënyrë që ne mund t’i mbajmë të rinjtë në Kosovë, vetëm duke investuar në të ardhmen e tyre”, thekson ai.
Arta Buxhovi, menaxhere në kompaninë me të cilën Komuna ka marrëveshje për punësimin e të rinjve, thotë se që nga njoftimi për subvencionim interesimi ka qenë i madh.
“Para 5 vjetëve ne kemi filluar të diskutojmë me Komunën e Vushtrrisë për subvencionimin e gjuhëve të huaja, për të gjithë banorët e Komunës dhe tash së fundmi është nënshkruar marrëveshja mes nesh edhe Komunës për subvencionimin edhe të programimit. Kemi interesim të madh së pari për kursin e gjuhës gjermane, mirëpo tash edhe për programim. 50 prej këtyre qytetarëve të cilët e kanë përfunduar kursin këtu janë punësuar pastaj në SPEEX, tash do të vazhdojmë edhe me programim, i cili do të fillojë në janar të vitit 2025”, thekson ajo.
Në janarin e vitit të ardhshëm, të rinjtë e Vushtrrisë do të kenë mundësi të ndjekin falas edhe kurse të programimit.
“Duke marrë në konsideratë që Komuna e Vushtrrisë ka një numër të madh të të rinjve, në koordinim të plotë më Komunën kemi rënë dakord që këta të rinj të kenë një zhvillim profesional dhe pastaj të vijë deri të punësimi adekuat. Nga ky subvencionim për programim po kemi interesim edhe të gjinisë femërore, gjë që në të kaluarën nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, deklaron Mark Dushia nga “Head of Customer Service”.
Në disa prej shkollave të gjuhëve të huaja, por edhe të programimit, për një muaj një person duhet të paguajë 30-50 euro.