SOT

Këndi i veçantë vjeshtor që po ekspozohet në shkollën e Ferizajt

Ngjyrat, freskia e produktet e mira që na i sjell stina e vjeshtës po ekspozohen të gjitha në një vend shumë të veçantë.

Në një kënd, i cili ka marrë një pamje shumë të lezetshme në shkollën fillore "Besim Rexhepi" në Komogllavë të Ferizajt, mësimdhënësit, nxënësit e prindërit u bënë bashkë për ta sjellë vjeshtën e artë brenda ambientit të shkollës.

Mësimdhënëset ishin ato që këtë projekt e ideuan dhe deshën nxënësve t’ua sjellin nga afër ato që i kanë përmendur shpeshherë në teoritë mësimore, porse nxënësit nuk kanë pasur mundësinë t’i shihnin nga afër të gjitha në një vend.

“Ideja më erdhi gjatë këtyre javëve, meqenëse kemi diskutuar për ushqimet e shëndetshme e për vjeshtën e artë. Duke i grumbulluar gjitha këto e pashë të arsyeshme ta bënim këtë projekt me fëmijë që pak a shumë t’i shohin nga afër të mirat që sjell vjeshta, por edhe ushqimet e shëndetshme. Idenë time e diskutova me kolegët e mi dhe menjëherë më përkrahën dhe e realizuam. I informuam edhe prindërit dhe gjithë fëmijët sollën diçka nga kopshtet e tyre që kanë pasur të mbjella", tregon mësuesja e ciklit klasor, Merita Kqiku.

Ajo thotë se sjellja e produkteve vjeshtore në këtë kënd ndihmon fëmijët t’i njohin nga afër të mirat që sjell kjo stinë.

"Nëse ne si mësimdhënës realizojmë të tilla praktika në shkollë, fëmijët patjetër se mësohen. Gjithçka që është në libër nëse nuk e bëjmë në praktikë dhe fëmija nuk e prek, ne flasim për pataten dhe nëse fëmijët nuk e dinë se ku rritet dhe si është, ata në fakt duhet të përballen me tokën, mbjelljen e kultivimin dhe në fund edhe vjeljen e tyre. Për nxënësit ka qenë shumë e mirëseardhur, sepse për fëmijët çdo risi është shumë atraktive dhe zgjon kureshtje e sidomos këto në mënyrë praktike", shton Kqiku.

Edhe mësimdhënësit e tjerë kontribuuan me shumëllojshmëri produktesh, madje ky kënd tani është shumë atraktiv edhe për të shkrepur fotografi, të cilat do t’u mbesin gjatë në kujtimet e nxënësve të shkollës.

"Ideja ishte e mësueses Merita, ne të gjithë ishim në pajtim dhe mezi kemi pritur ta bënim këtë kënd. Edhe nxënësit kanë qenë bashkëpunëtorë me prindër, sollën nga kopshtet frutat e vjeshtës të cilat veçse janë këtu, janë drithëra, misri, ka edhe fruta molle e shumë të tjera, por janë edhe punimet e nxënësve që vetë i kanë punuar. Pos frutave ne kemi sjellë edhe perime të konservuara, siç janë turshitë, dhe këtë kënd e shfrytëzuam edhe për fotografi ta kemi një pamje vjeshte, një vjeshtë të artë, siç edhe po shihet tani”, tregon mësuesja Albulena Rrahmani-Rexhepi.

Drejtori i shkollës, Kujtim Ilazi, thotë se në shkollë vazhdimisht realizojnë projekte të tilla dhe nxënësit informohen çdoherë për secilën stinë se çka i pret.

"Me kurrikulën e re janë disa kompetenca që duhet të arrihen përmes kohës dhe hapësirës. Tani jemi në stinën e vjeshtës, kjo ka qenë iniciativa e mësuesve të ciklit të ulët që ta bëjnë një kënd të vjeshtës me të gjitha produkte vendore që janë dhe e kanë bërë këndin duke i ekspozuar produktet. Kështu në njëfarë forme fëmijët e prekin nga afër problemin dhe gjithçka që në teori është shumë e vogël, në praktikë e madhe”, thotë Ilazi.

Ilazi tregon se ka qenë befasi nga ana e nxënësve që secili prej tyre ka qenë bashkëpunues dhe janë kujdesur që ky kënd të mos dëmtohet, por vetëm të pasurohet dhe ta ketë një pamje mbresëlënëse vjeshtore.

“Kolektivi i ciklit të ulët janë tepër atraktivë, bashkëpunimi i tyre është në nivelin më të lartë që ekziston. Në të gjitha stinët kanë këso iniciativa dhe me programe të ndryshme që nxënësit ta shohin nga afër problemin e kohës. Plani i mësuesve ka qenë perfekt, sepse fëmijët i kanë sjellë vetë produktet, kështu që kanë kontribuuar vetë dhe nuk e kanë prekur, por janë kujdesur për to", tha drejtori.

Këndi vjeshtor i shkollës çdo ditë po vazhdon të pasurohet me produkte të ndryshme e ngjashëm do të jetë deri në përfundimin e kësaj stine.