Ky është viti i dytë që nxënësit e shkollës fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë po e praktikojnë jogën si pjesë e lëndës zgjedhore.
Joga dhe muzika po zhvillohen si lëndë e përbashkët, përmes së cilës nxënësit po arrijnë të relaksojnë mendjen dhe trupin.
Joga është praktikë e lashtë fizike, mendore dhe shpirtërore që e ka origjinën nga India dhe popullariteti i kësaj praktike çdo ditë e më shumë është në rritje edhe nxënësit e kësaj shkollë po ndikojnë tek anëtarët e familjes.
Nxënësja e klasës së 8, Morea Kastrati, flet për përfitimet shëndetësore që mori nga praktikimi i jogës. Ajo thotë se tanimë është një nga lëndët e preferuara dhe mezi pret zhvillimin e saj.
Lum Morinën joga e ndihmoi në zhvillim fizik, por ndikim pati edhe në shëndetin mendor.
Nxënësja tjetër, Finesa Loshi, thotë se përmes jogës tani po arrin t’i menaxhojë emocionet e saj, e në veçanti kur është në prag të provimeve në shkollë.
Drejtoresha e shkollës, Shpresa Shala, tregon se mbajtja e lëndës së jogës kishte qenë kërkesë e vetë nxënësve, e në veçanti pas periudhës së pandemisë praktikimi i saj kishte qenë më se i nevojshëm.
Aktualisht joga po praktikohet në një hapësirë të improvizuar të shkollës, por interesimi i lartë i nxënësve ka bërë që së shpejti të krijohet një hapësirë e dedikuar veçmas për këtë lëndë.
Joga si praktikë ndihmon në përfitime të shumta fizike, duke përfshirë elasticitet më të mirë, tonifikim të muskujve dhe rritje të masës muskulore, përmirësim të frymëmarrjes, energjive dhe vitalitetit, ruajtje të balancës metabolike, në peshë, përmirësim të qarkullimit të gjakut dhe shëndetit kardiovaskular, përmirësim të performancës fizike e atletike, mbrojtje nga dëmtimet fizike dhe përfitime të tjera mendore.