SOT

Ish-mësimdhënësi rikthehet në shkollën e tij, dhuron 170 libra

Storia në vazhdim na vjen nga Ferizaj, do ta ndjekim rrëfimin e një ish-mësimdhënësi i cili pas shumë vjetësh rikthehet në shkollën e tij dhe dhuron 170 libra. Me shkollën e re tani aty është vënë në dispozicion një minibibliotekë dhe duhet ndihma e vullnetarëve për ta pasuruar atë më shumë. Përveç mësimdhënësit, udhëheqësit e asaj shkolle kërkojnë edhe nga të tjerët që librat që nuk i lexojnë më t’i dhurojnë për shkollën.

Së shpejti kjo shkollë do t’i hapë dyert për nxënësit e saj, por kanë mbetur edhe pak punë derisa ajo të jetë e gatshme për mirëpritjen e tyre.

Edhe minibiblioteka e shkollës së re ende nuk është plotësuar. Vullnetarët janë ata që po ndihmojnë të pasurohet ajo sa më shpejt me tituj të rinj.

Mes tyre është edhe Sadri Aliu, ish-nxënës i shkollës “Dy Dëshmorët” në Talinoc. Dekada më pas ai rikthehet në këtë vend, ku mori hapat e parë të dijes, tani duke ofruar ndihmë për gjeneratat e reja.
“Unë para një muaj e gjysmë e pashë që kjo shkolla e re është gati dhe se është një hapësirë e dedikuar për bibliotekë. Unë si ish-nxënës i kësaj shkolle e pashë të arsyeshme të kontribuoj me mundësitë e mia. Në vitet '90 bashkë me gruan time kemi blerë 300 libra të ndryshme me kredi dhe tani meqë më ato nuk i lexojmë e pashë të arsyeshme me i sjellë këtu. 120 libra janë lektura të ndryshme dhe 50 të tjera libra shkollorë”, tha Aliu. 
Sipas ish-nxënësit, këtë donacion po e bën si nderim për ish-mësimdhënësin dhe ish-bibliotekistin e kësaj shkolle, të cilët dhanë një kontribut të veçantë në zhvillimin e tij në rrugën e dijes.
“Ajo që më shtyri të bëj këtë veprim është frymëzimi që kam pasur nga ish-mësimdhënësi im Sylejman Riza dhe ish-bibliotekisti Mehmet Sadiku, i cili përveçqë na furnizonte me libra, nga ne më pas kërkonte përmbajtjen e librit dhe kuptimit të asaj që kemi lexuar. Ata kanë qenë kontributdhënës që ne të fitojmë sa më shumë dije. Për mua ky është një emocion shumë i madh duke u bazuar në kushtet që atëkohë kemi pasur. Ne kemi udhëtuar me kilometra në këmbë vetëm për të fituar dije dhe kështu kemi arritur secili anëtar i familjes sime, nga babai im i pashkollë, secili fëmijë i tij të gëzojë shkollim dhe detyrë të rëndësishme institucionale e shtetërore”, tha Aliu. 
Ai shton se të rinjtë e sotëm lexojnë pak dhe megjithëse teknologjia ka kapluar botën, ajo nuk mund ta zëvendësojë kurrë ndjesinë e të prekurit dhe të lexuarit e një libri në mënyrë fizike.
“Në krahasim me periudhën tonë, atëherë kemi lexuar më shumë, tani edhe nipërit dhe mbesat e mia lexojnë, por janë më shumë të përqendruar nga teknologjia. Libri nuk zëvendësohet me asgjë dhe duhet ta kemi prezent kudo si në shkollë ashtu edhe në shtëpi”. 
"Drejtoresha e kësaj shkolle, Shqipe Zeqiraj-Emini, fton të gjithë libërdashësit që nëse nuk lexojnë më ndonjë libër, ta sjellin atë në minibibliotekën e shkollës.
“Fshati ynë e ka bibliotekën dhe është e furnizuar mirë, por ne kemi dashur ta kemi një minibibliotekë brenda hapësirës së shkollës. Këtë e kemi fituar si projekt dhe po vazhdojmë me vullnetarë ta furnizojmë ngadalë me tituj të rinj disa prej teksteve i kanë sjellë vetë nxënësit e shkollës, një pjesë e kemi përfituar nga ish-mësuesi Sadriu, por kemi edhe nga Prizreni që kanë dhuruar 30 tituj për minibibliotekën tonë. Një mesazh e kam për gjithë komunitetin tonë, të gjithë ata që kanë libra në shtëpi dhe nuk i lexojnë më të na i dhurojnë ato, sepse u duhen nxënësve tanë”, tha Zeqiraj-Emini. 
Sipas kryetarit të fshatit Talinoc, Njazi Behluli, një objekt i ri për shkollën ka qenë më se i nevojshëm dhe tani pak nga pak kjo shkollë po i plotëson nevojat e secilit, duke u afruar me shkollat e huaja që kanë standarde të larta.

“Ne kemi bashkëpunim të mirë me udhëheqësen e shkollës dhe kemi fituar disa donacione, ndër to është minibiblioteka që kanë shprehur dëshirën shumë donatorë të ofrojnë libra. Unë po punoj që sa më shumë të grumbullojmë libra për fëmijët tanë. Kjo shkollë e re ka qenë më se e nevojshme, shkolla e vjetër ka qenë më shumë se 90 vjet dhe tani kjo e reja i plotëson të gjitha kushtet, na duhen vetëm karriget të plotësohen dhe nxënësit të zhvendosën në këtë hapësirë moderne”, tha Behluli. 

Aktualisht fshati Talinoc ka bibliotekën e saj, por kjo minibibliotekë brenda hapësirës së shkollës do të jetë një shtysë më shumë që nxënësit të jenë më pranë librave. Ajo ka nisur tashmë të mbushet me libra nga vullnetarët, por është e nevojshme që të mbushet edhe më tej për të pasur pamjen më të mirë të një biblioteke shkollore.