Lakra e gjelbër, ajo e sallatës dhe lakra e kuqe, sa u përket perimeve, janë më dominuese në tregun e gjelbër të kryeqytetit.
Ndonëse koha e turshive ka filluar që nga shtatori, në treg ende ka interesim nga konsumatorët për lakrat turshi dhe perimet e tjera në përgjithësi.
Kadri Sfarqa është tregtar prej 30 vjetësh, thotë se çdo ditë vjen nga Bellopoja e Podujevës për te tregu i gjelbër.
Tregtari lakrat dhe perimet e tjera i kultivon në tokën e tij pre 30 arësh.
Në tezgën e tij gjenden tri lloje të lakrave, thotë se me shitjen e tyre është i kënaqur.
Ai kilogramin e lakrave e shet 50 centë, ky çmim thotë se është i volitshëm për konsumatorët duke marrë parasysh edhe gjendjen ekonomike në vend.
Sfarqa bën krahasimin e lakrave te tij që i ka të mbjella në fushë të hapur me lakrat e tjera që importohen nga vendet e tjera.
Rashit Bajrami për pemë dhe perime kryesisht furnizohet në treg të gjelbër.
Tregon se lakrën e përdor për gjella, sallatë dhe rasoj.
Lakrat për turshi i bleu edhe Bahtir Makolli, thotë se në treg të gjelbër janë më të shëndetshme sesa ato në markete.
Thotë se dreka dhe darka në familjen e tij gjithmonë shoqërohen me lakra si sallatë dhe rasoin si pije.
Të mirat nga turshitë janë se furnizojnë trupin me minerale dhe vitamina, të cilat i nevojiten njeriut.