SOT

“Intelektualet” e Gjilanit në mbijetesë, shpresojnë rikthimin e futbollisteve që vetë i krijuan

Ka 13 vjet që trajneri Afrim Mehmeti themeloi klubin e futbollit të femrave “Intelektualet” në Gjilan. Gjatë këtyre viteve, pothuajse çdo vit ka sjellë sfida të reja për klubin, për shkak të financave të pakta.

Përkundër sportisteve të talentuara që trajneri krijonte dhe promovonte përpara sportdashësve, përvojat janë bërë gjithnjë e më të vështira, pasi ato sportiste shpesh largoheshin nga klubi për t'u bashkuar me klube të tjera për shkak të pagave dhe kushteve më të mira. Megjithatë, trajneri Mehmeti thotë se nuk ka ndërmend të ndalet dhe se do të vazhdojë të mbajë gjallë klubin që e themeloi me shumë dashuri, duke përballuar vështirësitë.

“Fillimet kanë qenë të vështira, por kemi pas kuadër të njerëzve që kanë dashur të ndihmojnë në themelimin e klubit por u tërhoqën më pas shkaku i financave për të cilën ende vazhdojmë të kemi probleme. Ky klub ekziston që 13 vjet, kemi pas shumë vajza të mirë që kanë arritur suksese të mëdha, tregu tani është rrit vajzat ikin nga klubi sepse gjejnë kushte më të mirë por deri sa të fillonte kjo krizë në klub ne e kemi pas klubin më të mirë në Kosovë, e tani në 8 klube të mëdha luajnë vajzat tona”, thekson ai.

Trajneri Mehmeti thotë se është duke bërë gjithçka që ky klub të mos shuhet, duke shtuar se vazhdimisht po kërkon ndihmën e bizneseve gjilanase për të mbështetur sportistet dhe për të parandaluar largimin e tyre në klube të huaja.

“Në vitet e fundit jam i zhgënjyer sepse është dashur të hyjmë nën ombrellën e klubit të meshkujve, i kënaqur kam qenë deri në vitin 2018-19 kur kemi pas shumë suksese, por qyteti i Gjilanit ka biznese të mëdha dhe vajzat tona janë shumë të zonja duhet t'i mbështesin, kemi trajnere dhe refere të zonja, bizneset duhet kthyer kokën nga këto vajza sepse kanë shumë kapacitet dhe deri tani me gjasë do ishin në kampion ligë”, deklaron ai.

Mehmeti shton se ka shpresë se, nga shtatori, do të ketë përmirësime në financat e klubit dhe se vajzat që dikur ai vetë i trajnoi do të kthehen në klubin ku morën hapat e parë të karrierës.

“Kur jemi taku me biznese atyre u kam thënë jepjani rrogën vetë vajzave, për të mos ua shuar etjen dhe mos me i largu nga Gjilani sepse janë sportiste të mëdha është mirë që ato biznese të afrohen te këto vajza, nëse hyjmë nga shtatori nën ombrellën e Dritës atëherë vajzat do të kthehen nga gjitha ato klube ku janë tani aktualisht, por aktualisht nuk vijnë shkaku i kushteve që i kemi”, thotë ai.

Sabrie Sadiku, një nga trajneret që po i qëndron besnike klubit "Intelektualet", tregon se ka nisur të merret me futboll që kur ishte 8 vjeçe dhe është ende e angazhuar me ekipin.

“Jam 22-vjeçare, me futboll merrem qysh 8-vjeçe jam në klubin intelektualët, aktualisht po ndjekë edhe studimet në fakultetin e sportit e tani jam bërë edhe refere, futbolli më pëlqen shumë, është e vështirë sepse kushtet nuk janë më të mirat për të kryer stërvitjet siç duhet bërë secili sportist, kemi lojtarë shumë të mira por shkaku kushteve atyre po u duhet të lëvizin jashtë dhe të luajnë për të tjerët”, thekson ajo.

Sadiku thotë se nuk ka ndërmend të largohet, e madje synon të marrë edhe licencën e trajneres.

“Përkundër kushteve jo të mira unë me futboll jam marr gjithë dhe ashtu do të vazhdoj nuk e kam qëllimin me lënë, më pëlqen si sport nuk mundem dot të tërhiqem do vazhdoj gjithsesi të mbes pjesë e këtij klubi dhe shpresoj të ardhmen të bëhem refere me stemë të lartë dhe të marr licencën e trajnerit”, deklaron Sadiku.

E sportistët e vegjël të Gjilanit, thonë se shembull kanë bashkëvendësen e tyre të suksesshme Riola Xhemaili, sukseset e së cilës shpresojnë t’i arrijnë edhe vetë.

“Unë jam Noa Behluli, futbollin gjithnjë e kam pas pasion, aktualisht jam pjesë e ‘KF Shkëndija’ dhe dua të bëhem sportiste sikurse Riola Xhemiali”, deklaron ajo.

Në kohën e “lulëzimit” si klub futbolli kishte nxjerrë emra të njohur futbollistesh të cilat i humbi në mungesë të kushteve. Tani shpresa e trajnerit Mehmeti mbetet rikthimi i tyre.