Kulla e ndërtuar prej guri e balte nga mjeshtër dibranë, e veçon Herticën e Podujevës. Kulla e Xhemajl Haxhisë i ka 200 vjet. I ka mbijetuar kohës falë intervenimeve që familja Haxhiu i ka bërë në të. 77-vjeçari Bajram Haxhiu edhe sot nuk e lëshon fshatin Herticë. Një ndër arsyet është edhe kulla e vjetër.
Në hyrje të kullës është e vendosur edhe pllaka, e cila thuhet të jetë e shkruar në osmanishten e vjetër e përkthyer tashmë edhe në shqip “Ejani me qëllim të mirë”. Për 77-vjeçarin kjo kullë ka histori të veçantë, sepse në të ishin strehuar refugjatë sa herë që populli kalonte në periudha të vështira.
Vizitohet shpesh kjo kullë, thotë Haxhiu, i cili hyn brenda saj sa herë që do ta kujtojë jetesën në të.
Dikur ajo ishte shtëpi e 40 anëtarëve.
78-vjeçari thotë se kullën e vizituan nga Komuna e Podujevës, por interesimi për ta rinovuar nga udhëheqësit u harrua.
Objekti i cili mbrohet nga shteti si trashëgimi kulturore është ndërtuar me muri të trashësisë 80 centimetra të lidhur me llaç balte dhe breza druri në lartësi të caktuar.