SOT

“Hotele” për insekte në Universitetin e Prizrenit, synohet rritja e biodiversitetit

Kemi dëgjuar shpesh për hotele të njerëzve e të kafshëve të ndryshme. Mirëpo Universiteti i Prizrenit tashmë ka dy “hotele” edhe për insekte. E gjithë kjo në kuadër të një projekti të organizatës “Ec Ma Ndryshe” që do t’i ndihmojë studentët në studimet e tyre shkencore për rritjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e ambientit.

Të mbushura me materiale të ndryshme bimore, dy shtëpizat e vogla që gjenden në oborrin e Universitetit të Prizrenit nuk shërbejnë vetëm për dekorim.

Në fakt, ato janë "hotele" për insektet, që do të shfrytëzojnë këtë vend si strehë të përkohshme.
Këto dy "hotele" janë vendosur si pjesë e një projekti që do t’u shërbejë studentëve të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, për studimet e tyre shkencore. 

Përmes këtij projekti të organizatës "Ec ma ndryshe", synohet edhe rritja e biodiversitetit, i cili po rrezikohet për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Ajo çka na ka mbështetë ‘Ec ma ndryshe’ është edhe pajisja me dy ‘hotele’ të insekteve. Ju do të shihni se brenda tyre ka material të ndryshëm bimor, i cili shërben si ushqim bazë për insektet. Me këtë synohet të rritet biodiversiteti i insekteve brenda kampusit dhe këto insekte do të kenë një vendbanim dhe ushqim. Për dallim prej shpendëve që konsiderohen si prindërit më të mirë të planetit, për shkak se kujdesen për pasardhësit, insektet lënë vezët e tyre në një vend si ushqim potencial për larvat kur do qelin vezët. Edhe këto ‘hotele’ do të shërbejnë si ushqim për insektet dhe larvat e tyre. Një numër i këtyre insekteve mund të jenë potencial për insektet që janë dëmtuese për drunjtë. Kështu që me një gurë vrasim dy zogj”, tha profesoresha e Universitetit të Prizrenit, Albana Milaimi.

Për të tërhequr insektet, aty janë vendosur ushqime të ndryshme, thotë Albana Milaimi.

“Është kombinacion i llojeve të ndryshme bimore. Kemi bari të thatë, kemi kashtën, drunjtë e llojeve të ndryshme, pra është një laramani e ushqimeve, të cilat shërbejnë si ushqim potencial për insekte të ndryshme. Nëse mund të shihni se druri është i vrimosur dhe insekti adult e ka më të lehtë që të futet aty dhe pastaj edhe larvat kanë ushqim të mjaftueshëm këtu. Do t’i tërheqim vizitorë të rinj, do t’i shumojnë, ndonjëri i këtyre do të jetë insekte që sulmojnë drurin e thatë, pra edhe e rrisim biodiversitetin edhe e mbrojmë drurin e gjallë. Do të shohim se çfarë llojesh do t’i tërheqim dhe sipas nevojës do t’i mbushim përsëri këto hotele”.

Ata synojnë të zgjerojnë këtë projekt, duke shtuar edhe disa hotele të tjera brenda kampusit.

“Iu kemi ofruar ushqim dhe do të tentojmë të zgjerohemi me këto hotele duke rritur biodiversitetin e insekteve të dobishme, por pastaj disa prej tyre, si për shembull mollëkuqja është insekt që sulmon afidet, që janë insekte që dëmtojnë selvinë, tujën. Edhe rrisin biodiversitetin edhe mbrojmë drunjtë e gjallë. Janë pozitive dhe ‘Ec ma ndryshe’ janë të gatshëm të na mbështesin në aktivitetet tona. Edhe ne i ofrojmë ekspertiza të nevojshme tona sa i përket ambientit, edhe ata na përkrahin në aktivitetet që jo rrallë organizon Universiteti”, tha Albana Milaimi.

Në këtë mënyrë, studentët do të kenë mundësinë të gjejnë mënyra për të minimizuar ndotjen e mjedisit.

“Studentëve tanë iu ndihmon sepse përveç programit klasik mundohemi që përmes këtyre aktivteteve studentët tanë të jenë inovativ karshi gjetjes së mënyrave për ta mbrojtur ose minimizuar ndotjen e mjedisit. Jo vetëm t’u ofrohet mundësi për studime se si është gjendja reale e mjedisit por edhe të gjinden mënyra se si të mbrohet mjedisi. Fillimisht është bërë në Suedi ndërsa tani e kemi këtu. Do ta studiojmë sa do të ketë sukses e ndoshta edhe do ta ndryshojmë”, tha profesoresha e Universitetit të Prizrenit. 

Përveç hoteleve, “Ec më ndryshe” brenda oborrit të këtij universiteti ka bërë edhe emërtimin e 21 llojeve të drunjve në gjuhën latine, shqipe dhe atë angleze. 

“Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit ka një program unik që janë shkencat e pyjeve dhe mjedisit. Mjedisi nuk është diçka që e kemi vetëm pasion, por edhe obligim dhe vizion të fakultetit tonë. Aktivitetet nuk na përcjellin vetëm gjatë shënjimit të eventeve mjedisore por janë edhe si rutinë e jona. “Ec ma ndryshe” në shumicën e aktiviteteve na ka mbështetur, siç është edhe emërtimi i drunjve të Universitetit të Prizrenit. Janë 21 lloje drunjsh më pak shkurresh, të cilët janë të emërtuar në gjuhën latine, gjuhën shqipe dhe angleze”.

Kaltrina Kolukaj nga “Ec Ma Ndryshe” tha se kjo ide ka ardhur në jetë falë kërkesave të studentëve të Prizrenit.

“Ky aktivitet është si një iniciativë që ka dalë nga takimet e përbashkëta që kemi pasur me profesorë të Universitetit të Prizrenit. Në kuadër të këtij projekti e kemi mundësinë të realizojmë bashkëpunime të tilla me ndihmën e fondit të CDEF dhe është mbështetur nga ambasada e Suedisë në Prishtinë. Konkretisht janë emërtuar 21 lloje të drunjve përmes tabelave që janë vendosur pranë drunjve, pra po synohet krijimi i një kopshti botanik në atë universitet. Kemi vendosur edhe dy hotele për insekte që do të ndikojnë pozitivisht në biodiversitetin e universitetit. Në kampus nuk ka vetëm lloje që rriten në Kosovë  dhe emërtimi i tyre ka ardhur si ide që t’i shfrytëzojnë studentët brenda kampusit dhe të mos dalin çdoherë jashtë saj dhe praktikën që e kanë brenda fakultetit do t’iu ndihmojë shumë”, tha Koluka. 

Kolukaj thotë se investimet e tyre po synohen të bëhen brenda fakulteteve, aty ku e kanë të sigurt mirëmbajtjen, gjë që nuk ndodh njësoj edhe në hapësirat e tjera publike.

“Prizreni nuk është që nuk ka parqe, por ajo që mungon është mirëmbajtja. Një investim që bëhet duhet të jetë i qëndrueshëm. Dhe studentët mund ta bëjnë këtë pasi do të merren me to herë pas here.”

Ndryshe, ndërtimi i hoteleve për insekte është i lehtë dhe mund të realizohet nga çdo qytetar, përmes përdorimit të kthinave të drunjve dhe materialeve të ndryshme bimore.