Përmes këtij materiali, do të shkojmë në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës.
Pos veçorive si fshat, Pagarusha e Malishevës njihet edhe për shumë monumente e objekte të vjetra që bartin histori të familjeve autoktone.
Njëri nga ta është rasti i “Kullës së Vneshtave” apo “Kullës së Pagarushës”.
Në pamje të parë, flet vetëm vjetërsia e saj, por për familjen Krasniqi, kulla ka histori në vete.
Banori i këtij fshati Ramiz Kryeziu thotë se në këtë kullë ka kujtime të shumta.
Ai mban mend se si kjo kullë kishte shumë funksione përgjatë viteve.
Në kohë korrjesh, zonjat që u ndihmonin familjarëve, i strehonin fëmijët në djep e i ushqenin në po këtë kullë, deri në përfundim të vjeljes së vneshtave.
Pas shumë vitesh në mërgim, Kryeziu thotë se i është kthyer përfundimisht vendlindjes.
Ruajtja e kullës është kthyer në mision jetësor për të. Përveç se e ruan nostalgjinë për të kaluarën, ai e shfrytëzon shpesh për ta mbledhur familjen rreth saj.
Ramiz Kryeziu thotë se me kthimin e tij ka menduar nisjen e një sërë projektesh që do t’i kontribuonin fshatit të lindjes, në veçanti rinovimit dhe ruajtjes së objekteve të vjetra në Pagarushë të Malishevës.