Ky është fshati Herticë i komunës së Podujevës. Përveç pasurive natyrore, fshati është i njohur edhe për objektet e tij si “Kulla e Bajramit” dhe “Xhamia e vjetër”. Kjo e fundit supozohet të jetë ndërtuar rreth tre shekuj më parë.
Disa dekada më parë, ky fshat kishte mbi 300 shtëpi, ndërsa tani ka vetëm 30 shtëpi të banueshme.
Sipas fshatarëve, pas vitit 2010 ka filluar shpërngulja e madhe e banorëve.
“Të parët tanë kanë ardhur nga një fshat i largët i Kovaçicës, mes viteve 40-50, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe janë vendosur në këtë fshat. Nga ajo kohë, fshati njihet si një fshat i madh e me vlera të mëdha historike e pasuri natyrore. Sipas më të vjetërve, dikur fshati ka pasur deri 350 shtëpi. Nëse marrin një përqindje të çdo familjeje, në fshat kanë banuar mbi 2 mijë banorë. Deri në vitet e 90-ta, apo deri edhe deri në vitin 200, ka qenë një fshat me 170 shtëpi, pra lufta e fundit sikurse të gjitha fshatrat e tjera e ka përfshi. Pas lufte fshati mbeti me 120 shtëpi, shkak i kushteve në infrastrukturë. Pas viti 2010 ka filluar shpërngulja më e madhe e banorëve. Sot fshati ka 30 shtëpi, që janë të banueshme”, tha Bajgora.
Deri në vitin 1990, kur miniera ishte aktive, shumë banorë ishin të punësuar atje.
Në afërsi të minierës gjendet një liqen artificial që edhe sot tërheq vizitorë.
Naser Bajgora, banor i fshatit Herticë, tregon se përveç tjerash ky liqe përdoret shpesh nga çiftet e reja për set fotografik.
“Bujqësia dhe blegtoria në fshat ka qenë prioriteti kryesor për mbijetesë të popullsisë. Kullosat, malet, kodrinat etj., janë pasuri natyrore të fshatit. Në fshat është jetuar dhe jetohet vetëm institucionet duhet me ditë sesi të japin hapësirë fshatarit dhe jo qytetarit. Gjithçka sot po kërkohet natyrale, e natyrale në sera nuk ka por në këtë tokë. Ka pasur dhe ka leverdi me punuar, kurrë mos mu ndal dhe ka edhe fitim nga puna e fshatit. Fshatit nuk i mungon shkolla, ambulantë etj. Miniera ka qenë aktive deri në vitin 1990, ku pjesa dërmuese e banorëve kanë qenë të punësuar. Në mungesë të institucioneve banorët po largohen jo vetëm nga fshati por edhe nga Kosova”, tha Bajgora.
Ai përmend edhe ‘naftën’ që sipas tij supozohet se mund të gjendet nëntokën e këtij fshati.
“Me disa fjalë të vjetërve po flas, ndoshta edhe po gaboj flitet që në fshat janë dy ‘damar’ nëntokësor të naftës. Ftoj ekspert me hulumtuar më shumë, sikurse po hulumtojnë minierat, pasuritë nëntokësore të Kosovës. Çdo fshat i ka të mirat e vetë”, tha Bajgora.
Infrastruktura e fshatit është përmirësuar kohëve të fundit. Shumica e banorëve ende merren me bujqësi dhe blegtori.
Familja Bilalli ka pasur një traditë të gjatë në këto kultura. Ramiz Bilalli, tani 52 vjeç, ia ka dedikuar krejt jetën e tij punës në blegtori. Aktualisht, ai kujdeset për 10 krerë lopë, por dikur thotë të ketë pasur trefishin e tyre.
“Sa e mbaj mend vetëm këtë pjesën ku jetoj, mbi 40 shtëpi kanë mbajtur bagëti. Prej vitit 2004 kur e kam ndërtuar stallën kam mbajtur deri në 30 krerë me lopë. Në vitin 2006 janë ndërtuar rreth 15 stalla, e cila stallë i ka pasur mbi 10 krerë me lopë, dhënë, dhi etj. Këto fusha kanë qenë të mbushura me bagëti. Vitet janë largu për arsye të ndryshme. Janë të pakt që mbajnë bagëti”, tha Bilalli.
Bilalli apelon te ata që e kanë lënë fshatin, të kthehen dhe të kontribuojnë për zhvillimin e tij.
“Ata që e kanë lëshuar fshatin më mirë të kthehen prapë, sepse pa prodhime të tokës nuk ka jetë. Me tri lopë del një rrogë e mirë, e mundesh të jetosh mirë. Natyra është mbi të gjitha, njerëzit vuajnë nga sëmundje të ndryshme shkak i ushqimit. Qyteti nuk është larg, e sidomos infrastruktura që është e rregulluar”, tha ai.
Pavarësisht se fshati po braktiset nga banorët, vilat dhe restorantet e ndërtuara e kanë shndërruar Herticën në një vend që po tërheq vizitorë vendorë.