SOT

Helmimet me ushqime gjatë verës

Stina e verës, e cila përcillet me temperatura të larta, është koha më e ndjeshme kur duhet shtuar kujdesin në ngrënien e ushqimit.

E madje edhe institucionet vazhdimisht janë duke rekomanduar për një gjë të tillë, e sidomos në këto ditë me temperatura ekstreme, në mënyrë që të mos shkohet deri te helmimet.

Duke qenë se jemi ende në periudhë pandemie e shumë nga klinikat janë duke u ballafaquar me këtë problem, edhe hospitalizimi i pacientëve me helmime është problem shtesë.

Prandaj edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë apel që të shmangim sa më shumë konsumimin e mishit dhe peshkut, suxhukut dhe produkteve të ngjashme të papërpunuara termikisht.

“Shumë herë jemi ballafaquar me helmime me ushqim, ku qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital, të cilët falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë.

Kujdes duhet pasur edhe në vendet ku konsumohet ushqimi, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

Instituti po ashtu ka bërë thirrje që të shmanget konsumimi i ushqimit që përmban vezë të freskëta, majonezë, salca të ndryshme, djathë të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose i zier.

Pemët dhe perimet, sipas Institutit, duhet larë mirë para ngrënies.

E në këto ditë të nxehta nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë, ndërsa ushqimi i mbetur duhet të ruhet në frigorifer.