Në mes të maleve të Gollakut, ky është fshati i fundit i Prishtinës në kufi me qytetin e Kamenicës.
33 kilometra larg qendrës së Prishtinës shtrihet fshati Gllogovicë, i cili numëron 10 familje.
Për të mbijetuar, banorët e këtij fshati merren me bujqësi e blegtori.
Zenel Bekteshi ka 70 krerë dhi me të cilat ka dy vjet që po merret me to.
Në kërkim të kushteve më të mira për fëmijët e tij ai thotë se këtë punë e kanë kthyer për përfitime të familjes.
“Për momentin i kam 70 krerë dhi, thashë hajt të provojmë mos po bëjmë diçka me to, mos po e bëjmë një mundësi pak më të mirë. Po merrem unë me fëmijët e mi, me ato po e kapërcejmë tash edhe kohën e dimrit. Tani nuk është koha t’i qesim në natyrë. Pak e vështirë është të merremi me to, por jemi pak larg qytetit e na mungojnë shumë sene. Kushte s’ka as t’i mbajmë ato, stallë nuk kemi por po shpresojmë institucionet të na ndihmojnë. Nuk është që i kam dashur, por po më shtinë t’i dua se është edhe një përfitim prej tyre. Ka njerëz që marrin qumësht prej tyre dhe djathë, por edhe për edha, por kushtet nuk po ma mundësojnë”, thekson Bekteshi.
Për të zgjeruar më shumë këtë punë, ai thotë se ka nevojë për përkrahjen e institucioneve.
Përkrahja e shtetit, sipas tij, mungon në përgjithësi në këtë fshat.
“Vend nuk kam mjaftueshëm, na nevojitet edhe ndonjë mjet bujqësor. Deri më tani nuk na kanë ndihmuar asgjë institucionet. Edhe pse jemi katund goxha i largët unë e di që nuk mund të plotësohen kushtet si në qytete, është katund por i vetmi katund është që jashtë rrugës kryesor e nuk e ka asnjë rrugicë të asfaltuar. Janë rregulluar nëpër fshatrat tjera por këtu ka nevojë më shumë sepse ka pak më shumë banorë se në fshatrat tjerë, ka lëvizje më të mëdha sepse lidhet me Krilevën. Neve po na duket shumë e pakët përkrahja e shtetit, megjithëse kemi shumë kërkesa e nevoja, të paktën disa më kryesoret. Nuk kemi asgjë në Prishtinë, fëmijët shkojnë në Prishtinë në shkollë po iu bije të rrinë shumë rrugëve. Kemi nisë më pak qetu mos po mundemi të ndërtojmë diçka atje, një dhomë a dy atje shkaku i punësimit të fëmijëve, i shkollimit, i kemi 3-4 nxënës që udhëtojnë çdo ditë atje dhe janë edhe 4-5 të tjerë që nuk po shkollohen se po duhet të qëndrojnë këtu sepse nuk i kanë kushtet. Krejt po thonë që katundi i mirë por nuk po rrinë askush”, deklaron Bekteshi.
Sipas tij, në fshatin Gllogovicë nuk është bërë asnjë investim që nga 2011-ta.
“Asnjë investim nuk është bërë. Në 2011 u shtrua rruga kryesore dhe në 2023 ky transport vije dy herë në ditë, në mëngjes dhe mbrëmje, është shumë i mirë e krejt po r të paktën vetëm edhe njëherë të ish ardhur është shumë e nevojshme sepse fëmijët kanë nevojë të shkollohen. Ata duhet të presin 2 orë nëpër Prishtinë. Fëmijët e mi vijnë në ora 9 në shtëpi, ata rrinë 3 orë rrugëve të Prishtinës për ta pritur transportin. Ndoshta është edhe faji jonë që nuk ua kemi bërë kushtet dhe të shkojmë atje si krejt tjerët, por, nuk kemi mëndu të ia kthejmë shpinën asnjëherë këtij vendi, por nëse vazhdojmë të mos kemi përkrahje duhet t’ia kthejmë shpinën edhe ne siç kanë ikë krejt. Këtu ka pas banorë shumë, shkolla fillore është këtu, por nuk ka kushte askush nuk mund të rrijë pa kushte”, thekson Bekteshi.
Ai thotë se politikanët në fshatin e tyre vijnë vetëm kur është koha për të kërkuar votën.
“Ka 4-5 vjet që kemi kërkuar një mbrojtës të rrugës këtu në fund por kush parasysh nuk e ka marrë. Të gjithë udhëtojnë këtu. Është rrezik i madh aty. Asnjëherë nuk është hap asnjë kanal, as shkurret nuk priten rrugës. Disa kontejnerë i kanë sjellë këtu edhe ata 3 muaj nuk vijnë ta mbledhin bërllokun, por kur është për interes të tyre domosdoshmërish na gjejnë derën. Nuk e di si na thirrin të votojmë. Për kë të votojë unë? Dikush thotë që në katund është lehtë, por edhe për neve që kemi mbetur këtu nuk kthehet askush të na shoh se si jemi”, tregon Bekteshi.
E kryetari i këtij fshati, Asllan Bekteshi, thotë se nga 60 familje sa numëronte fshati, tani shumë prej tyre kanë migruar për në qytet.
Kjo gjë ka bërë që të mbyllet edhe shkolla e fshatit.
“Shkolla kur është mbyll është bërë shumë keq por ra shumë numri i nx32ënësve, mbetën pak shtëpi për shkak se ikën për shkak të kushteve. Me marrëveshje të drejtorisë së Arsimit, ata tashmë janë transferuar në Dabishec. Për rrugë jemi i vetmi fshat i neglixzhuar”, deklaron Bekteshi.
E sa i përket kërkesës së autobusëve, ai thotë se po presin një zgjidhje.
“Kemi nevojë edhe për një orar, në ora 14:00 niset në Prishtinë dhe në Prapashticë qëndron 15 minuta. Ai mund të vijë deri këtu për arsye se nxënësit kanë nevojë. Për këtë punë kam qenë në takim me drejtorin Bekim Brestovci dhe më ka thënë të bëj kërkesë. Ne e kemi bërë kërkesën dhe jemi në pritje të tij. Dashtë Zoti të na realizohet edhe kjo”, deklaron Bekteshi.
Megjithëse fshati u braktis nga shumë banorë, ata po synojnë rikthimin e tyre gjatë vikendeve përmes shtëpizave.