SOT

Gjuha angleze, pjesë e përditshmërisë së fëmijëve kosovarë

Që nga fillimi i ciklit shkollor, në shkollat e Kosovës mësohet gjuha angleze.

Sipas arsimtares së gjuhës angleze në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, Afrore Rudari, fëmijët edhe pse janë të vegjël megjithatë kjo lëndë shihet shumë atraktive nga ana e tyre dhe mezi presin ta zhvillojnë.

Të flasësh gjuhën angleze tanimë është e zakonshme e sidomos nga ana e të rinjve, madje edhe vetë prindërit angazhohen qysh nga mosha e hershme që fëmijët të jenë vazhdimisht në mesin e kësaj gjuhe.

Përmes përdorimit të teknologjisë fëmijët e mësojnë gjuhën në zhargonin e rrugës, e në shkollë atë në mënyrë të duhur.

Sipas arsimtares, gjuha angleze mund të arrihet të mësohet vetëm me përcjelljen e saj në shkollë, mirëpo kurset shtesë gjithnjë janë të mirëseardhura.

Bind Halili vijon mësimet në klasën e 8-të, është njëri ndër nxënësit e dalluar në gjuhën angleze, i cili qysh i vogël kishte shfaqur interesim për fjalët e huaja në gjuhën angleze.

Bindi thotë se shpeshherë e luan rolin e përkthyesit kur udhëton bashkë me familjen jashtë vendit.

Sipas psikologes së shkollës, Trëndelina Krasniqi, të mësosh dy e më shumë gjuhë përnjëherësh në moshë të hershme nuk është ngarkesë për fëmijët, por prindërit duhet pasur kujdes që fillimisht t’ua mësojnë gjuhën amtare e më pas gradualisht të shtohet intensiteti i fjalëve të huaja e të reja.

Përdorimi i fjalëve anglisht tashmë është pjesë e përditshmërisë së shumë fëmijëve, përmes ekspozimit të tepërt në rrjete sociale ata arrijnë ta kuptojnë dhe ta flasin më mirë gjuhën angleze sesa atë amtare, prandaj edhe psikologia thotë se prania e tepruar e teknologjisë mund të jetë në dëm të së ardhmes së fëmijëve.