SOT

Gjilanasja, kirurgia e parë veterinare në Kosovë

Kjo është Mirlinda Cani nga Gjilani, e cila në qytetin e saj njihet si një nga veterinaret më të zonja. Pos këtij epiteti, ajo po ashtu konsiderohet si një nga kirurget e para të kafshëve në vend dhe se puna e saj ka të bëjë më shumë me operacionet në kafshët e vogla.

Mirlinda bashkë me disa kolegë të saj tashmë janë pronar të një klinike në qendër të Gjilanit, që merren pikërisht me shërimin dhe trajtimin e kafshëve.

Mirlinda qëkur kishte qenë e vogël e kishte në qejf të merrej me kafshë, porse babai i saj ishte shtysa kryesore që ajo të studionte në fushën e Veterinës.

Ajo ka një raport shumë të afërt me të gjitha kafshët e klientëve të saj duke u ofruar ngrohtësi.

Veterinarja thotë se secili nga pronarët paraprakisht duhet pasur një ambient komod dhe të përshtatshëm për secilën kafshë që vendosin ta marrin.

Sipas saj, kosovarët më së shumti preferojnë të mbajnë në shtëpi mace dhe qen, por për Mirlindën dashuria për këto kafshë është e njëjtë për të gjitha.

E një grua të jetë veterinare në Kosovë nuk është edhe aq e zakonshme. Mirlindën e kanë gjetur edhe paragjykimet e shumta, porse me punë ua ka dëshmuar të kundërtën.

Mirlinda ndryshe ka edhe një profesion dhe pasion tjetër, ajo më parë kishte ushtruar profesionin si profesoreshë e karatesë, e po ashtu është pasionuese e madhe e natyrës e që për çdo vikend sfidon veten me ecje ekstreme.