Në sezonin e dimrit si pasojë e mungesës së diellit shumë prej nesh mund të kenë probleme me nivelin e vitaminës D. Organizmi ynë nëse ka mungesë të kësaj vitamine mund të ketë probleme të shumta shëndetësore.
Në sezonin e dimrit shumë prej nesh nuk ekspozohemi mjaftueshëm në ambientet e jashtme.
Meqenëse ky sezon nuk na mundëson një ditë të gjatë e me rreze dielli, sipas endokrinologes Rreze Serhati-Morina, shumë prej pacientëve rezultojnë të kenë probleme me nivelin jo të duhur të vitaminës kryesore, të cilën e marrin nga dielli, vitaminën D.
“Vitamina D është një vitaminë shumë e rëndësishme, mund t’i themi edhe hormon, këtë mund ta marrim me ushqim por edhe sintetizohet vetë, e kjo arrihet kur kemi kontakt me rreze dielli. Në lëkurën tonë gjendet prohormoni, kur bie në kontakt me vitaminën D fillon sintetizimi i saj. Rruga e sintetizimit kalon më pas në dy organe tjera në mëlçi e veshkë, rëndësia e kësaj vitamine është shumë e madhe e cila mban nivelin e kalciumit në gjak në vlerat normale”, thotë ajo.
Vitamina D është tejet e rëndësishme për organizmin e njeriut, përpos diellit atë arrijmë ta marrim si suplement, por edhe përmes ushqimit.
“Ekspozimi në diell është shumë i rëndësishëm, verës kemi nivel të vitaminës më të lartë shkaku i diellit, e dimrit më pak, prandaj duhet matet ta dimë sa kemi mungesë të vitaminës dhe në bazë të saj dozohemi. Nëse vitamina pas dozimit ka arritur vlerën normale më pas duhet marrë edhe një dozë tjetër për të mbajtur në ato nivele, por mundemi ta bëjmë edhe përmes ushqimeve si konsumimi i peshkut, vezëve, drithërave, e produktet nga qumështi”, shton ajo.
Plogështia, dhimbja e eshtrave, disponimi jo i mirë e shumë të tjera janë disa nga simptomat që sinjalizojnë mungesën e vitaminës D.
“Simptomat nuk na dërgojnë vetëm tek mungesa e vitaminës, por më shumë ndjejmë lodhjen, dhimbjen e eshtrave e të muskujve, disponimi jo i mirë, rënia e flokëve, imunitet i dobësuar, por analizat na tregojnë saktë se si e kemi gjendjen me këtë vitaminë”, tregon Serhati-Morina.
Ka raste që pacientët mund të gabojnë në marrjen e dozës, andaj duhet gjithnjë rekomandimi i mjekut, sepse edhe nga mbidozimi mund të ketë efekte anësore.
“Vlera normale e vitaminës është 30, por edhe mund të mbidozohet nëse nuk kontrollohet marrja e saj dhe e kemi në doza të larta më pas pacienti vazhdon ta marr pa kontroll arrihet mbidozimi dhe më pas shkakton nivel të lartë të kalciumit dhe kështu i bëjmë dëm shëndetit, krijohen gurë në veshka e problemet tjera me enët e gjakut”, tregon ajo.
Sipas nutricionistes Dafina Demolli, në përgjithësi kosovarëve ushqimet e detit si burim i vitaminës D u mungojnë në tryezën e tyre.
Ata që mbajnë dieta, sipas saj, shpeshherë mënjanojnë ushqimet e bulmetit, të cilat konsiderohen me sasi të lartë të kësaj vitamine.
“Nga përvoja shoh se pacientët që duan të mbajnë dieta në pyetësor thonë se 70% e tyre nuk konsumojnë ushqime të detit dhe produktet e qumështit sepse mendojnë që kanë shumë kalori, e në ato të detit nuk u pëlqen shija, prandaj edhe ka shumë raste me mungesë të vitaminës D”, tregon nutricionistja.
Ajo thotë se përveç medikamenteve edhe ushqimet mund të ndihmojnë në arritjen e nivelit të duhur.
“Duhet njëherë të përdorim suplement, por duhet edhe të jemi pranë rrezeve të diellit dhe së paku dy herë në javë duhet konsumuar ushqime deti si trofta e salmon, pastaj edhe produkte të qumështit së paku çdo ditë të kemi kos e djathë”, thotë ajo.
Por jo shpeshherë simptomat mund të dërgojnë në analizën e vitaminës D, në mungesë të saj shkaktohen probleme të tjera serioze në shëndet, të cilat më pas kërkojnë kohë për rikuperim.
“Nuk i kemi temperaturat edhe aq të ulëta saqë të mos dalim jashtë, mungesa e vitaminës shkakton probleme tek fëmijët rahitisi, e tek të rriturit ndikon në fertilitet sepse rritë progesteronin dhe estrogjenin tek femrat pastaj është kundër kancerit të zorrës së trashë e të hollë”, tregon ajo.
Nga vjeshta deri në verë rekomandohet marrja e suplementeve ditore me Omega 3 për fëmijë e të rritur në mënyrë që organizmi të mos ketë deficit të vitaminës D.