SOT

Gabimi i prindërve që u japin të holla fëmijëve në shkollë

Është bërë praktikë e zakonshme që fëmijët përpos shujtave të ushqimit që i marrin me vete në shkolla, prindërit atyre po u japin edhe të holla xhepi.

Gjatë procesit mësimor, në kohën kur ata e kanë pushimin e shfrytëzojnë hapësirën për të dalë jashtë objektit shkollor dhe për blerje jo të nevojshme e madje edhe duke blerë produkte që fare nuk lejohen për moshën e tyre.

Por për psikologët është gabim i prindërve plotësimi i të gjitha dëshirave të fëmijëve e në veçanti dhënia e parave.

Psikologia, Naile Rrustolli-Hoxha, thotë se prindërit duhet mësuar fëmijët për kursimin, e një arsye më tepër që ata të mos kenë para në shkollë është për shkak krijimit të barazisë mes fëmijëve në një klasë.

Sipas saj prindërit nuk mund ta dinë për mënyrën se si po shpenzohen paratë e fëmijëve kur janë pa shoqërimin e ndonjë të rrituri në shkollë.

Një shqetësim i kohëve të fundit është konsumimi i pijeve energjike nga ana e fëmijëve, e që më së shpeshti kjo dukuri ndodhë kur ata lirohen pas mësimit e me paratë e ofruara nga prindërit i shfrytëzojnë në blerjen e tyre, thotë Salie Gajtani Osmankaq nga Këshilli i Prindërve.

Nëse shujtat e ushqimit fëmijët i kanë me vete, e po ashtu edhe materialet shkollore që atyre u duhen për aktivitete, prindërit bëjnë gabim nëse u japin fëmijëve para në shkollë thotë Osmankaq.

Dhënien e të hollave për në shkollë, Osmankaq asnjëherë nuk e ka praktikuar me fëmijët e saj.

E shumica e bankave në Kosovë ofrojnë llogari kursimi për fëmijë derisa BQK-ja thotë se është e angazhuar në edukim financiar që nga fëmijëria.