SOT

Furrtari i Mitrovicës ofron pitalka falas për familjet në nevojë

Ndonëse me prejardhje nga krahina e Hasit, Selman Musaj ka lidhje të thella me Mitrovicën, ku familja e tij jeton.

Bashkë me gruan dhe tre djemtë e tij, ai është i njohur në qytet si një furrtar i dalluar, një zanat që është trashëguar brez pas brezi në familjen Musaj.

Për rreth 40 vjet, Selman Musaj ka punuar në Gjermani, por gjithmonë ka kontribuar në furrën familjare, e cila ndodhet në qendër të Mitrovicës.

“Furrën e kem prej babagjyshit, pra e kemi traditë familjare. E kem vazhduar këtë profesion bashkë me familjen time tash e 32 vjet. Kjo furrë ka qenë e ‘moçme’, ndërsa tash e kam rinovuar. Prej që kur e kam hapur këtë furrë, bamirësia tek unë nuk ndalet. Kush ka nevojë për bamirësi, le të vjen tek unë”, thekson Musaj. 

Bukëpjekësit përgatisin deri në 1.500 pitalka çdo ditë, ndërsa rreth 300 prej tyre shpërndahen për familjet në nevojë. 

Përveç në furrë, personat që kanë nevojë për bukë falas mund ta marrin atë çdo ditë dy orë para iftarit, përmes një shtandi që Selman Musaj ka vendosur që nga fillimi i Ramazanit.

“Pitalkat tona janë me traditë familjare. ‘Edetivin’ nuk e përdorim fare, i ka shijet e vet pitalkë e prushit. Për këtë arsye është e veçantë pitalka e Ramazanit. Krejt vitin përgatisim pitalka, por për Ramazan e ka veçantinë e vet. Jam shumë i kënaqur me këtë punë, sepse punoj bashkë me familjen. Djemtë e kanë një proces nga mikseri, pra brumin që e gatuajnë, bëjnë burimin kuleç e procedurat e tjera deri te pjekja”. Deri në 1.500 pitalka në ditë i përgatisim, 200-300 i ndaj për njerëzit në nevojë. Pitalka dhuroj deri në ditën e Bajramit, ndërsa gjatë vitit dhuroj për familjet në nevojë bukë sa t’iu nevojitet. Kushdo që është i interesuar mundet me ardhë në furrë ose në pikën që e kam vendos jashtë furrës”, deklaron Musaj. 

Ai bën thirrje edhe te të tjerë, të cilët i kanë kushtet e mira ekonomike që t’u dalin në ndihmë familjeve në nevojë. 

“Secili që ka biznes pa marr parasysh çfarë biznesi, ju kisha thënë që t’i ndihmojnë familjet në nevojë. Unë për veti i pari jam për ndihmë”, thotë Musaj. 

Familja Musaj, gjatë gjithë vitit dhe veçanërisht gjatë festave, ndihmon familjet me kushte të vështira ekonomike, duke ofruar ushqim, veshmbathje dhe ndihma të tjera. Kjo ndihmë nuk është e kufizuar vetëm në Mitrovicë, por edhe më gjerë.