SOT

Fshati i Suharekës me tualet publik dhe shembull pastërtie

Me një pamje mahnitëse, Vraniqi karakterizohet për bukuritë natyrore. Por ajo që e bën më të veçantë është se ai ka edhe një tualet publik, e që është e rrallë për vendet e Kosovës.

Me mbi 500 shtëpi dhe me shumë banorë, ky fshat karakterizohet për një peizazh mahnitës natyror.

Por, Vraniqi ka diçka tjetër që e bën të dallueshëm nga shumë vende të Kosovës. Ai posedon edhe tualet publik.

Përderisa në Prishtinë ka disa tualete me pagesë, tualeti në këtë fshat është në shërbim të fshatarëve, pa pagesë.

Ndërtimi i tij është bërë në pranverën e këtij viti dhe ideja ka qenë e mërgimtarëve të këtij fshati.
Kryetari i këshillit të këtij fshati, Tahir Kolgeci, thotë se ata kanë të krijuar një shoqatë përmes së cilës mërgimtarët kontribuojnë edhe për mirëmbajtje të fshatit.

“Në një fshat me një kulturë pak më të veçantë prej fshatrave të tjera. Një fshat që ka tualet publik që nuk e di nëse ndonjë qytet në Kosovë ka ndonjë të tillë. Ka qenë ide e mërgimtarëve tanë, të shoqatës ‘Vraniqi’, ka qenë ide e tyre dhe është bërë përmes tyre dhe mirëmbahet nga punëtori. Ai e mirëmban në mënyrë të rregullt dy herë në ditë. Në mëngjes dhe në përfundim të orarit”, tha Kolgeci. 

Thotë se ndërtimi i tualetit publik ka qenë shumë i nevojshëm.

“Nga komuna ka qenë një lloj xhelozie që nuk do ta mirëmbajmë por ne i kemi premtuar se do ta bëjmë dhe do ta mirëmbajmë. Përdoret shumë nga kalimtarët e rastit. Është stacioni i autobusëve, këtu është qendra e fshatit. Që në pranverë të këtij viti është futur në funksion”, tha Kolgeci.

E për mirëmbajtjen e fshatit kujdeset një punëtor, i cili paguhet përmes shoqatës “Vraniqi”.

“Konkretisht që të kemi një fshat të pastër ka qenë ideja e krijimit të shoqatës “Vraniqi”. Për këtë kemi marrë një punëtor i cili paguhet me pagë mujore dhe ia kemi mundësuar t’i ketë të gjitha pajisjet e nevojshme për mirëmbajtjen e fshatit. Është një punëtorë i shkëlqyer, i mban me varreza, me lapidarin e tualetin publik. Mustafë Basha i cili është kryetar i shoqatës e ka filluar këtë aksion pas kërkesës sime disa herë. Ai ka organizuar dhe bëjnë grumbullimin e mjeteve çdo herë dhe në këtë mënyrë e kemi mundësuar edhe punëtorin. Shoqata organizohet edhe në raste kur dikush ka nevojë për ndihmë në rast sëmundjeje apo ndërtimin e shtëpive. Së fundi kemi pasur një rast të një vajze të vogle dhe shoqata i ka dalë në ndihmë tej mase”.

Në përgjithësi Suhareka shquhet si njëra nga komunat më të pastra në vend.

“Unë kam qenë menaxher i qytetit të Therandës për 22 vjet me radhë për mirëmbajtjen e qytetit dhe grumbullimin e mbeturinave edhe nëpër të gjitha fshatrat. Kam qenë menaxheri i parë në nivel regjional që i kam futur të gjitha fshatrat për t’i furnizuar me kontejnerë dhe për shërbim të grumbullimit të mbeturinave. Edhe ato fshatrat më të skajshme malore. I pari në regjion të Prizrenit. Ideja e ime e përhershme ka qenë si të kemi një fshat më të pastër. Tani fshati ynë është shembull për pastërti. Sa kam qenë menaxher i “Eco Regionit” në Suharekë, 3 herë jemi shpallur si qyteti më i pastër në Kosovë dhe akoma sot e kësaj dite marrin donacione për këtë gjë”, tha Kolgeci.

E veçantë e këtij fshati është edhe shtegu për ecje, i cili është ndërtuar në një vend që ka domethënie të madhe për fshatarët.

“Kjo ka qenë ide e fshatit dhe e mërgimtarëve për shkak të lumit që jep një karakteristikë të veçantë, konkretisht frekuentohet gjatë sezonit veror. Ka qenë ide e kërkesë pasi ka qenë si vend i shenjtë, se në këtë vend kanë qenë të grumbulluar diku 8 mijë deri në 10 mijë persona gjatë ofensivave konkretisht në ofensivën e shtatorit më 27 dhe 28 shtator të ‘98. Prej 5 ofensivave që ka përjetuar fshati Vraniq ajo e asaj kohe ka qenë më e tmerrshmja e mundshme. Konkretisht është menduar të bëhet diçka në këtë vend dhe për këtë ende s’kemi përcaktuar për emrin e këtij shtegu”.

Me bukuritë natyrore që i ka, Kolgeci thotë se nuk do ta ndërronte me asnjë vend.

“Pjesa e epërme është e pabanuar, uji është i pastër, ajri është i pastër. Është mrekulli me të vërtetë, gjatë verës është një ambient i jashtëzakonshëm. Kudo të më afrohet një banesë në qytet falas unë nuk shkoj atje. Asgjë si mungon sot fshatit. Pse të shkojmë në qytet? Nuk ka rrugicë të fshatit pa asfaltuar. Çfarë ambienti është këtu e çfarë në qytet? Këtu mund të bësh bahçe e punë të tjera ndërsa në qytet mbyllesh. Apeloj të mos i lëshojnë fshatrat të mos marrin dyndje vetëm në qytet. Asgjë si mungon fshatit. Nuk ke pengesa as për shkollë, as për punë, as asgjë”, deklaroi Kolgeci.

Punëtori që bën mirëmbajtjen e fshatit thotë se vullneti i tij bën që të arrijë të kryejë punën me kohë. 
Shton se tashmë janë përgatitur edhe për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë reshjeve të borës.

“Kam filluar që gati dy vjet të punoj në fillim e kam pas pak vështirë por tani me vullnetin tim çdo gjë e kryej siç duhet. Tani jemi përgatitur edhe për dimër. Një donator na ka dhuruar mjetin për mirëmbajtjen e trotuareve në mënyrë që fëmijët të mund të ecin lirshëm për të shkuar në shkollë. Në mëngjes filloj në tualetin publik, pastaj e shikoj lapidarin se a ka diçka për të rregulluar këtu e pastaj i hy rrugëve”, tha banori Lirim Muça.

Fshati për të ardhmen ka edhe një projekt, për ndërtimin e një salle, ku mund të organizohen dasmat e banorëve.