Librat e shkrimtarit Agim Deva, janë të preferuarit e Fron Zherkës.
Poezitë e tij e të shumë shkrimtarëve të tjerë ishin inspirim për 9-vjeçarin që të shkruajë disa poezi e të gjitha ato t’i përmbledhë në librin e tij të parë.
“Më pëlqen më shumë të lexoj dhe të shkruaj. Kur kam lexuar shumë libra jam inspiruar edhe unë të shkruaj librin”, deklaron Zherka.
Gjithçka nisi nga poezia e tij për qytetin e Vlorës.
“Ka qenë poezia ime e parë që e kam shkruar për Vlorën. Pastaj kam shkruar për Vitin e ri, pastaj një vjershë e kam shkruar për babin që të mos e pijë cigaren. Sepse është e dëmshme dhe dëmton shëndetin. Në këtë libër kam shkruar disa poezi që çdo poezi sjell një porosi. Kur të lexojmë ne pasurojmë trurin dhe mendjen”, tregon Zherka.
Libri “Zëri i shkronjave” tashmë është në shitje. Të gjitha përfitimet nga shitja e tij ai ka shprehur dëshirën t’ia dhurojë Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë, me qëllim që të ndihmojë fëmijët me autizëm.
Kjo nismë e Fronit është frymëzuar nga miqësia e tij me shokun e klasës, i cili është me autizëm.
“Froni e ka në klasë një djalë që është me autizëm dhe pastaj kam menduar pse të mos u ndihmojnë këtyre fëmijëve, Froni me mundësi të veta. Ka shprehur kreativitetin e tij në atë mënyrë të ketë ndikim tek fëmijët e tjerë. Në marrëveshje me Shoqatën e Autizmit kemi biseduar që çdo shitje e librit do të ju shkojë fëmijëve që janë me autizëm në shoqatë. Pra është menduar që përmes këtij libri të ndihmohen fëmijët që kanë nevojë”, thotë nëna e Fronit, Bleta Zeqiri.
Ajo tregon se si në moshë të hershme ka vërejtur talentin e tij për të shkruar.
“Prej moshës së hershme ka shpreh një interesim që të lexoj për të komentuar, për të shkruar poezi dhe ne e kemi parë dhe kemi dashur ta shtyjmë përpara. Ka qenë shumë interesant sepse është inspiruar nga shumë shkrimtar sepse ne kemi lexuar shumë poezi bashkë me Fronin dhe kemi lexuar poezi të Agim Devës, Vehbi Kika e së voni kemi pasur edhe një libër të autores Teuta Muji prej të cilës edhe jemi inspiruar. Froni është inspiruar të shkruaj për Vlorën (Reciton Froni)”, thotë Zeqiri.
Inspirimi i buron nga çdo udhëtim apo ngjarje në të cilën është i përfshirë Froni.
“Çfarëdo përjetime kemi pasur, Froni ka pasur dëshirë ta shpreh në letër dhe ja ku jemi tani e kemi një libër. Këtu në libër janë 20 poezi dhe të gjitha përçojnë një mesazh. Një poezi ia ka kushtuar babait të tij që Froni e di përmendësh. (Reciton Froni). Besoj ka përçuar një mesazh edhe te babai i tij. Ka pasur dëshirë të shpreh mendimet e veta e për atë arsye edhe titulli i librit të Fronit quhet “Zëri i shkronjave” sepse Froni e ka parë shumë vetën duke shkruar dhe duke i shprehur mendimet e tij në libër. Normal ka marrë shumë kohë sepse nuk mundet të shkruaj poezi çdo ditë por kur inspirohet. Udhëtimet e ndryshme. E ka pasur një poezi edhe për gurabijet. Nuk kanë qenë vetëm rastet e udhëtimeve por çdo ngjarje tjetër”, shton Zeqiri.
Poetit të vogël i pëlqen të shkruajë shumë edhe për luftën.
“Dje ka qenë në një orë letrare i ftuar në cilësi të poetit, si poet i vogël dhe për ne një emocion i veçantë. Froni e ka shkruar një poezi për Anif Muji. Çdo herë duke shkruar, në këtë formë duke kontribuar për shoqërinë tonë”, tregon Zeqiri.
Froni thotë se nuk do të ndalet me kaq. Ai do të vazhdojë me shkrimin e poezive të reja, të cilat do t’i përmbledhë në librat që do t’i botojë në të ardhmen.