SOT

Floktari i grave në Rahovec që edhe pas 50 vjetëve nuk e ndërrojnë

72-vjeçari Skender Spahiu është floktari më i vjetër në Rahovec. Ai punon në lokalin që për mbi 50 vjet ka pamjen dhe funksionin e njëjtë. Edhe pse ka hasur në paragjykime të shumta e shpeshherë gratë janë kthyer prapa kur kanë kuptuar se burrë ishte ai që do t’i rregullonte, megjithatë kishte gra të tjera të cilat që nga fillimet e tyre ia besuan stilimin e flokëve. 

“Në fillim me familjarët kemi punuar si floktarë për meshkuj, pas gjimnazit në vitet ‘72 unë shkova në Beograd për shkak diplomës, aty mësova dhe punova floktarinë me meshkuj dhe femra. Në fillim ka qenë pak problem sepse gratë kanë qenë me havale në Rahovec, vinte ndonjë grua me vjehrrin e saj kur më shihnin mua nuk i linin, më thoshin po të ishe grua nuk do kishte problem”, thotë Spahiu.
Tregon se dikur gratë mund të rregulloheshin me një çmim tejet të ulët, porse jo çdokush kishte mundësi të rregullohej në atë kohë nga duart e një profesionisti.

“Këtu në Rahovec nuk ka pasur floktarë të tjerë, shumë vonë kanë ardhur. Gratë shkonin në Gjakovë e vende tjera sepse unë isha burrë dhe nuk donin të merrnin shërbim nga unë. Më përpara veç dasmë kush ka pasur ka shkuar te floktari, e jo sikurse tani. Para 2 muajsh çmimi për rregullim të minivallit ka qenë 20 euro, e më përpara ka qenë 7 deri në 10 marka”, tregon Spahiu.

Që 5 dekada lokali i tij nuk ka ndryshuar interierin. Thotë se dëshiron ta ruajë pamjen ashtu siç kur e kishte nisur zanatin.

“Këtë lokal e kam rregulluar vetë, kështu dua me mbet. Nuk dua me investu sepse kjo do të mbyllet, do të rrojë deri sa unë të kem shëndetin, e më pas këtu nuk ka kush të punojë”, thotë Spahiu.

72-vjeçari flet për gabimet e tij të para në profesion. Shton se tani i beson aftësive të tij.

“Që 50 vjet punoj si floktar, gabime kam pas, çdokush gabon, porse është një thënie që floktari, doktori e rrobaqepësi nuk ndërrohen, me atë që nis punën gjithnjë duhet ta vazhdosh sepse nëse një herë ka gabuar, në herën e dytë nuk e përsërit”, tregon Spahiu.

Gratë që me vite rregulloheshin të floktari, pothuajse ende të njëjtat vazhdon t’i ketë kliente, e shumë prej tyre madje i sugjeruan vajzat e mbesat e tyre që të shkonin te ai.

“Një punëtor nga Gjakova e takova një ditë dhe më tha një floktar që është këndej e kam pasë sjellë nënën time për t’i rregulluar dikur flokët, unë i tregova se për mua ishte fjala, u habit dhe tha se po e mbaj mend lokalin me të njëjtat shkallë”, thekson Spahiu.

Përgjatë këtyre viteve, Spahiu ka grumbulluar 15 kg flokë të cilat ka mundësi t’i shesë por në mendje ai ka një akt fisnik. Do t’i dhurojë për personat e prekur me sëmundjen e kancerit.

“Unë këto flokë dua t’i dhuroj repartit të Onkologjisë, për fëmijët që kanë nevojë për paruke me i përpunu, kam mbledhë flokë para lufte dhe tani, i kam pastruar dhe janë diku rreth 15 kg, mundem me i shitë, por kam vendosë me ndihmu në ata që kanë nevojë”, thotë Spahiu.

72-vjeçari ende vazhdon ta ushtrojë profesionin e floktarit me të njëjtat pajisje e në të njëjtin vend.