SOT

Fidanë ahu për të rritur gjelbërimin në Butovc

Janë mbledhur organizata e vullnetarë, e mëngjesin e kësaj dite po e fillojnë duke mbjellë fidanë në një nga fshatrat më të bukur të Prishtinës, në Butvoc.

Pjesë e këtij aktiviteti është edhe deputetja Fitore Pacolli, përderisa tregon se mbjellja e fidanëve po bëhet si shenjë revolte që të mos dëmtohen pyjet dhe të zgjerohen edhe më shumë hapësirat e gjelbra.

Ajo thotë se vullnetarët janë të paktë që po bashkohen në nisma të tilla dhe duhet të ketë më shume vetëdijesim të qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.

Aksioni për mbjelljen e 10 mijë fidanëve filloi në Mitrovicë e në dhurimin e tyre ndihmoi organizata FAO.

Altin Topalli nga kjo organizatë thotë se në Kosovë duhet të mbillen sa më shumë fidanë autoktonë, meqenëse edhe klima atmosferike u përshtatet atyre më shumë për zhvillim.

Eksperti i pyjeve, Azdren Doli, thotë se Butovci është një hapësirë e përshtatshme për fidanët e ahut për shkak të lartësisë mbidetare që ka, mirëpo në këtë rast mbjellja e vonshme e tij mund të mos ketë rezultate të mira.

Deri më tani organizata FAO ka arritur të mbulojë 25 hektarë me mbjelljen e më shumë se 60 mijë fidanëve.