E nisi vetëm me një lopë, por që tani i ka shtuar në 13 sosh.
Kjo është Afërdita Ademi nga fshati Lubishtë e Vitisë, e cila pjesën më të madhe të kohës e kalon në fushat e kësaj ane duke i kullotur bagëtitë e saj.
Për t’u kujdesur për të gjitha këto asaj i është dashur edhe ndihma e bashkëshortit, Sokolit, i cili nuk e la Afërditën vetëm në idenë e saj për të nisur punën me biznesin e tyre të vogël familjar.
Ajo vetëm nga bagëtitë e saj arrinte të nxirrte sasi të madhe të qumështit, mirëpo ruajta e tij nuk ishte e lehtë.
Kështu, Afërdita për hapjen e njësisë së përpunimit të qumështit në shtëpinë e saj u ndihmua nga donatori “Brot für die Welt”, dhe implementuesi Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës
E interesimi për të mirat e qumështit që ajo përgatit janë tejet të mëdha, konsumatorët çdo ditë po i shtohen.
Njësia e përpunimit të qumështit “Bon Appetit” në treg tani për tani është me prodhimet qumështore si gjizë, djathëra të ndryshme, gjalpë e shumë produkte të tjera.
Sipas Afërditës, të gjithë ata që kanë marrë fillimisht produkte nga ajo nuk e kanë ndërruar asnjëherë. Shton se fokusohet vazhdimisht që cilësia e tyre të jetë e nivelit më të lartë.
Përkrahës në projektin e Afërditës ka qenë edhe Komuna e Vitisë.
Drejtoresha e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Arlinda Sahiti, thotë se Komuna në vazhdimësi është duke përkrahur fermerët, sidomos gratë si Afërdita.
Afërdita, po ashtu, ka qenë pjesë e trajnimeve praktike të ndryshme të cilat i kanë ndihmuar asaj se si të dalë në treg me produktet më cilësore dhe bio për konsumatorët.