Fermeri Avni Leci, nga Barileva e Prishtinës, serën e ka vendosur në oborrin e shtëpisë e cila gjendet pranë lumit Llap.
Ai po e shfrytëzon tokën e tij për mbjellje në sera, e cila po i sjell fitime të mira.
5 ari tokë, Leci i ka mbjellë me qepë të reja, të cilat, sipas tij, janë mjaft të kërkuara në treg.
Pasi koha ka qenë e mirë këtë vit, ai thotë se kjo është hera e dytë që po e bën mbjelljen e qepëve.
Përveç qepëve, këtë serë herë pas here e shfrytëzon për mbjellje edhe të perimeve të tjera.
Trangulli është perimja e radhës që pritet ta mbjellë këtu. Përderisa këtu po mban edhe rasatin e domateve.
E gjithë këto ai i ka për shitje.
Punën më të madhe këto ditë Leci po e bën në serën e dytë.
Me traktor, Leci është duke bërë gati tokën për mbjelljen e domateve në 10 ari tokë.
Sipas fermerit, domatja është më fitimprurëse se qepa. Por vërshimet janë ato që po i sjellin dëme të mëdha.
Fermeri nga Barileva ka ankesa ndaj Komunës së Prishtinës për mosvlerësim të duhur të dëmeve.
Përveç në sera, çdo vit ai e bën mbjelljen edhe të patates në arën jashtë serës.
Të dy serat, Leci i ka subvencion nga Komuna e Prishtinës. Kjo e fundit thotë se ende nuk i ka kompensuar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e vitit të kaluar.