SOT

Fermeri 62-vjeçar vjel rreth 80 tonë rrush

Sikur këto vreshta me rrush që gjenden në mes të maleve të fshatit Vranjak të Rahovecit, Ali Morina ka të mbjella rreth 7 hektarë.

Kultivon tri lloje të rrushit, atë të tryezës, rakisë dhe të verës.   

Sivjet ka arritur të vjelë rreth 80 tonë rrush, shifër kjo e kënaqshme për fermerin krahasuar me vitet paraprake që thotë të mos ketë pasur rendimente të mira për shkak të ndryshimeve klimatike. 

E për këtë, thotë se tri javë më herët ka nisur vjeljen.  

62-vjeçari rrushin e mbledhur e shet më shumë jashtë vendit. 

“Ne merrem me rrush, babë e babagjysh. Posaçërisht unë vetëm me rrush merrem. Sivjet i kam pasur 75 tonë rrush të tryezës, rakisë dhe të verës. Rrush të tryezës kam pak vetëm 20 ari. Sivjet kanë qenë kushtet e mira, ndërsa vitin e kaluar nuk kemi fituar asgjë. Sivjet jem tri javë më herët, i kam ftuar disa të marrin rrush, por më thoshin herët është deri në shtator nuk piqet”, thotë ai 

Morina është i kujdesshëm në vjeljen e rrushit. Për tri llojet e tij ka mënyra të ndryshme të vjeljes.

Thotë se Rahoveci sa i përket rrushit ka traditë shekullore, për nga kualiteti veçohet edhe në Ballkan.  

“Rrushi i trumzës duhet ngadalë me u vjel. Duhet të palohen kalaveshët. Edhe nuk vilet përnjëherë, unë nuk kam shumë rrush të tryezës, por duhet të vilet më e pjekura dhe ‘gërdhajë’ me qenë te poshtë. E renditim mirë edhe e vendosim një fletë të hardhisë me ditë që është rrushi i freskët. Kem rrush të bardh dhe të zi”, tregon Morina.

“Rrushi jonë në Komunën  e Rahovecit është me shekuj traditë. Jo pse po them unë, por e thonë të gjithë. Rahoveci është i njohur për rrush edhe në Ballkan, jo vetëm në Kosovë”, shton ai. 

Fermeri për një hektar të mbjellë me rrush është përfitues i subvencioneve prej 1 mijë eurosh. Ndërsa për derivate 100 euro.  

Për të nuk mjafton kjo mbështetje nga shteti, pasi kjo kulturë bujqësore kërkon shumë shpenzime. 

Ai përmend edhe vështirësitë në gjetjen e punëtorëve për kohën e vjeljes. 

“Jem t’u hjek keq për punëtorë. Nuk ka punëtorë, kanë dalë jashtë shtetit, nuk po donë m’u marrë me këtë lëmi. Ne jem gjenerata e fundit që merrem me këtë. Vetëm Komuna e Rahovecit u mbet që merret me rrush. Vjelja po m’i merr 40% paret e rrushit, por edhe mirëmbajtja gjatë verës. Shpresoj të bëhet mirë. Me tregun jemi të kënaqur, por me çmime jo bash ashtu”, thotë Morina. 

2 mijë e 370 hektarë tokë të punueshme për rrush gjenden në Komunën e Rahovecit.