SOT

Ferizaj me kioskë digjitale si guidë për vizitorët

Për trashëgiminë kulturore, historike, atraksionet natyrore, lokacionet arkeologjike e shumëçka tjetër rreth qytetit të Ferizajt, tanimë turistët kanë një adresë informimi.

Është kjo Qendra Informative Turistike digjitale, e cila është e vetmja në Ferizaj, por edhe në tërë Kosovën.

Këtu nuk ka guidë për informim, por pajisjet digjitale janë udhëzues se çka mund të vizitohet në Ferizaj.

Drejtori i Turizmit në Ferizaj, Balton Dërguti, thotë se falë kësaj qendre digjitale nuk ka qenë e nevojshme të punësohet staf për informim turistik.

“Kjo qendër po bëhet për herë të parë në Ferizaj në formën digjitale, ka qenë edhe një më herët por nuk ka funksionuar shkaku i pamundësisë për të punësuar punonjës të rregullt, e pas kësaj problematike ne kemi hulumtuar dhe e kemi pa që më mirë është ta kemi një qendër digjitale pa pasur nevojë për punëtorë ekstra për dhënien e informatave turistike. Përpos që është në Ferizaj për herë të parë, e para është edhe në gjithë Kosovën, ne kemi arritur të bëjmë diçka më invovative me ekran digjital ku përmes saj mund të merren gjitha informatat turistike”, thotë ai.

Bifurkacioni i Nerodimes, fenomeni i vetëm në tërë Evropën, është më i kërkuari nga turistët.

Gjendja e lokacionit ka qenë shpesh e vështirë, por tash me kioskën digjitale udhëzimet janë të lehta.

“Ne e kemi fenomenin e Bifurkacionit, është kanali i Jezercit që është atraksion në vete e po ashtu edhe ujëvara e Pleshinës, por qasja në rrugë ende është problematike dhe duhet shkuar në këmbë. Përpos kësaj qendre, ne e kemi edhe faqen e turizmit dhe turistët mund të hyjnë aty të marrin informata më shumë”, tregon Dërguti.

Kostoja e pajisjes kap vlerën e 30 mijë eurove, e shfletimi brenda saj është tejet i lehtë dhe u jep mundësi turistëve ta kuptojnë atë në dy gjuhë, shqipe dhe angleze.

“Vlera e projektit është 30 mijë euro, në këtë çmim është i përfshirë objekti, konstruksioni i qendrës, ekrani dhe instalimi i programit që është i qasshëm për vizitorë. Ne e kemi pas mangësi këtë qendër edhe pse kemi vendos harta turistike nëpër qytet, por qyteti duhet pasur patjetër edhe qendrën informative dhe tani turistët e kanë mundësinë që drejtpërdrejtë të marrin informacione në gjuhën shqipe dhe atë angleze”, shton ai.

Zhvillimet e tjera në qytet, sikurse gastronomia, po rrisin numrin e vizitorëve sidomos në vikend.

“Çdo komunë ka karakteristikat e veta, padyshim se Ferizaj ka shumë objekte të trashëgimisë kulturore, ka monumente historike e bukuri natyrore, Jezerci, Nerodimja e Burrniku janë vendet që përpos bukurve natyrore e kanë të zhvilluar shumë gastronominë që sjellin shumë vizitorë, e sidomos në vikende”, thotë Dërguti.

Përveç qytetit, si atraksion i madh turistik është edhe fshati Jezerc.