Ushqyerja jo e shëndetshme e stili jo i mirë i jetës ka vënë në pah obezitetin e shtuar te moshat e reja.
18-vjeçari Rron Gashi ka një periudhë të gjatë që merret me sport, por si pasojë e një lëndimi që kishte, për një periudhë të shkurtër arriti të shtojë shumë në peshë. Por, kjo nuk shkoi gjatë, nga 109 kg sa kishte, ai arriti për 3 muaj peshën ta sjellë në 92 kg.
“Jam 18-vjeçar, me sport merrem që 12 vjet, lëndimin që e pata ka qenë fatal për organizmin tim e sidomos në shtimin e peshës, kam pas tendenca disa herë që të normalizoj peshën por në ‘Tempo’ arrita për 3 muaj të humb 17 kg që ishte një motiv i madh të vazhdoj me karrierën time. Me sport po merrem falë trajnerit që asnjëherë nuk më la të dorëzohem. Kam qenë 115 kg e me ndihmën e prindërve erdha në ‘Tempo’ me 109 kg, e për 3 muaj arrita të vij në peshën 92 kg”, ka thënë ai.
Thotë se ishte bullizuar nga shokët për shkak të peshës, por kjo nuk e kishte demotivuar atë.
“Rehat nuk kam dashur me më lënë trajneri sepse edhe në fitnes kam qenë por trajneri Alban më ka motivuar të ushtroj. Ushqimi, uji, gjumi, ushtrimet ishin çelësi për rezultatet e mia. Jam ushqyer më herët shumë keq, në orë të vona të natës, me pije të gazuara, kam pas probleme me gjumë e frymëmarrje. Tani ndihem më mirë shkaku i stilit të jetës që po e bëj, unë jam duke vazhduar me humb edhe më tepër kg. Jam bullizuar, por e kam marrë për të mirë sepse më ka ndihmuar me ecë para, tash kur më shohin shokët habiten me rezultatet e mia sepse më është shpërblyer puna.”
Tani dita e tij nis ndryshe. Kujdes të shtuar që nga mëngjesi, regjim në ushqim e disiplinë në ushtrime.
“Me javën e parë kam humb 4 kg dhe ajo ishte java vendimtare që unë të vazhdoj, me kujdes të shtuar në ushqim, në muaj të parë humba 9 kg dhe nuk po ndalem. Ushqimet e shpejta për mua janë të ndaluara rreptësishtë nuk dua t’i kthej kilogramët që i kam pasur, një mesazh kam për të rinjtë që të ushtrohen sepse ka shumë përfitime, e trajneri im është pedagog që më ka trajtuar në mënyrën më të mirë, më ka ndihmuar veten me stimulu për humbje peshe”, ka shtuar Gashi.
Pandemia ishte periudha kur 13-vjecari Orges Berisha kishte fituar peshë të madhe trupore për moshën që kishte. Kilogramët e tepërt i kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit. Tani, aktivitetet fizike janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së tij.
“Unë jam 13 vjeç arsyeja pse erdha këtu është të humbas peshë dhe me pas kondicion më të mirë në fushë. Kam qenë 70 kg, pas 2 muajsh erdha në 63 kg, jam shumë i kënaqur me rezultatet që kam arritur, nuk kam qenë lojtarë i mirë por me ushtrime jam përmirësuar. Shokët më kanë bullizuar sepse në pandemi kam shtuar shumë peshë, e tani jam dobësuar në peshën që e dua, por nuk do ndalem”, u shpreh Berisha.
Sipas trajnerit kondicional, Alban Dobroshi, disiplina që Rroni dhe Orgesi patën, bënë që brenda javës të shihnin rezultate të cilat i motivuan të vazhdonin ushtrimet.
“Aktualisht jam duke punuar me 3 sportistë, për herë të parë kur kanë ardhur kam pa shumë mangësi te ta dhe i kam sugjeruar prindërit të kujdesimi bashkë sepse ndikon kequshqyerja tek obeziteti, nëse kemi peshë të madhe nuk jemi mirë me veten, nga ta kërkoj punë, disiplinë dhe angazhim”, ka shtuar Dobroshi.
Sipas tij, kequshqyerja, mungesa e aktiviteteve, e qëndrimi me orë të tëra pranë telefonave e pajisjeve të tjera teknologjike ka bërë që shumë fëmijë të vuajnë nga obeziteti.
“Ka filluar një vetëdijesim i prindërve, kequshqyerja e qëndrimi me orë të tëra pranë pajisjeve teknologjike ka bërë që kjo gjeneratë e re të vuajë nga çrregullime në mbi peshë. Kryesisht janë shumë të disiplinuar, nëse duan të punojnë me mua duhet angazhim. Rroni ka humb shumë kg për pak ditë, kjo është disiplina që dua sepse pa angazhim nuk ka rezultat. Sipas meje, që nga mosha 5-6 vjeç duhet filluar me aktivitete fizike, moshën më të re e kam 3-vjeç nuk përdori pajisje me të, por improvizojmë aktivitete”.
Brumërat e sheqeri janë “armiku” i trupit dhe, sipas trajnerit, patjetër duhet të shmangen.
“Brumërat, sheqeri dhe mishi i kuq duhen ndaluar rreptësishtë. Nëse duam të kemi trup të shëndetshëm, mëngjesi duhet konsumuar në orën 9-10, ndërsa dreka 4-5 mesditë, në darkë mjafton vetëm smoothie dhe frutat si mollë e gjelbër dhe dardhë”, ka shtuar Dobroshi.
Trajneri sugjeron që nga mosha shumë e hershme të fillojë shprehia e aktiviteteve fizike dhe ushqyerja e shëndetshme të cilat parandalojnë mbipeshën në të ardhmen.