Në këtë material do të shkojmë në fshatin Grashticë, por jo për të folur për fshatin, por për një personazh të veçantë me emrin Fatmir Zhdrella. Ai është drejtor i shkollës “Teuta”, por, përveç këtij angazhimi, ka një pasion të zjarrtë për futbollin. Ai po ndihmon nxënësit e shkollës për avancimin në këtë sport, dhe ne do të ndjekim rrëfimin e tij për aktivitetin që ai ka ushtruar për shumë vite.
Ditën e tij e fillon me ardhjen në shkollë për të ushtruar detyrën e tij.
Fatmir Zhdrella udhëheq shkollën “Teuta” në fshatin Grashticë, dhe, sapo arrin në shkollë, nuk e lë pa marrë një top me vete. Ai është një adhurues i zjarrtë i futbollit që nga fëmijëria.
Fillimisht ka qenë lojtar, pastaj mësues i edukatës fizike, dhe këtë pasion vazhdon ta ketë edhe sot.
Për momentin, ai ka edhe një klub futbolli ku trajnon të rinjtë, duke përfshirë edhe nxënësit e shkollës që drejton.
Sipas tij, këta nxënës trajnohen falas dhe madje u dhurohen pajisje sportive falas.
“E ka një lidhje sa isha futbollist aktiv deri në vitin 2010, pas lëndimeve të vazhdueshme vendosa që të studioj lëndën e Edukatës Fizike, pastaj bëra edhe master. Pastaj hyra në sistemin arsimor fillimisht sikur arsimtar dhe pas 5 viteve vendosa të sfidoj veten si drejtor i shkollës. Është shkolla e dytë që e menaxhoj dhe aftësitë menaxhieriale po besoj i kam që nga udhëheqja e klubit e i kam transferuar këtu pastaj”, tha Zhdrella.
Ai shprehet se është një ndjenjë shumë e mirë që, pas punës, përdor futbollin si relaksim. E sheh si kënaqësi të punojë me gjeneratat e reja.
“Përveç tjerash unë jam edhe trajner për fëmijë nën 13 vjeç dhe qëllimi im është që të punoj masivisht me këta fëmijë pasi edhe janë në moshën e pubertetit dhe mendoj që e kam pikë të fortë qasjen dhe sjelljen me ta, prandaj jam fokusuar te këto mosha edhe në futboll edhe në arsim. Është një ndjenjë shumë e mirë dhe relakuese kur pas punës dhe angazhimeve merresh me futboll, unë e kam pasion futbollin dhe nuk e ndiej lodhjen aspak”, tha ai.
Nëse do të zgjidhte mes udhëheqjes së shkollës dhe futbollit, Fatmiri shprehet se futbolli do të kishte prioritet.
“Ndoshta që e kisha zgjedhë futbollin para profesionit të drejtorit të shkollës. Po rikthehem prapë te fillimi, futbolli nuk ka pengesa dhe bllokada sikurse që ka sistemi arsimor dhe është problem që të shtysh përpara procese që në futboll i kryen shumë lehtë. Unë e përdori një fjalë ‘futbolli është deti’, asgjë nuk mundet me të ndalë”, tha Zhdrella.
Ai ka fituar edhe shumë mirënjohje për punën e tij përgjatë viteve.
“Në vitin 2021 kam marrë mirënjohje për rolin kontributdhënës në lidhjen rajonale të Prishtinës në aspektin menaxherial, në vitin 2023, jam zgjedhur për regjionin e Prishtinës por që kësaj here përfshihen 7 komuna. Prishtina, Podujeva, Fushë-Kosova, Obiliqi, Drenasi, Graçanica dhe Lipjani dhe jam zgjedhur trajneri më i mirë për këto grupmosha si dhe vitin e kaluar kam qenë me kategorinë U13, në nivel vendi. Këto janë shenjë mirënjohje për punën e bërë nga unë ndër vite”, tha ai.
Gjithashtu, çdo vit organizon shëtitje falas për fëmijët e shkollës, duke i dhuruar mundësi të reja për zhvillimin e tyre jashtë sportit.