SOT

Familja në mërgim që 37 vjet e feston Vitin e Ri në Kosovë

Festat e fundviti nuk janë të këndshme pa ardhjen e diasporës. E shumë prej mërgimtarëve zgjedhin që festat, sidomos Vitin e Ri ta festojnë në vendlindje. Përmes stories që ka përgatitur Dona, do të shkojmë në familjen Tupani nga Zvicra, e të cilët kanë zgjedhur qytetin e Ferizajt për t’i kaluar festat. Karakteristikë e kësaj familjeje është se rreth 4 dekada, festat i festojnë në Kosovë dhe asnjëherë nuk kanë festuar një Vit të Ri në Zvicër, vendin ku ata jetojnë dhe punojnë përgjatë kësaj periudhe.

Mërgimtari Sherif Tupani nga fshati Begracë i Kaçanikut, prej katër dekadash jeton dhe punon në Zvicër, por ende ruan lidhje të forta me vendlindjen. 

Për të, çdo fundvit është një mundësi për të udhëtuar drejt Kosovës dhe për të bashkuar familjen.
Sherifi ka ardhur në Kosovë para një jave, me bashkëshorten, me qëllim që ta presin Vitin e Ri së bashku me fëmijët e tyre.

Për mërgimtarin, festa ka rëndësi më të madhe në vendlindje sesa në kurbet, prandaj edhe udhëtimet e tij janë të shpeshta.

Sot, me padurim teksa numëron minutat, ai ka pritur në aeroport djalin e vet, ndërsa vajzat do t’u bashkohen më vonë për festën.

Tash e 37 vjet familja Tupani Vitin e Ri e presin në Kosovë.

“Në Zvicër qëndroj nga viti 1987, kam 5 fëmijë 4 vajza e një djalë. Jetën kryesisht e bëjmë në Zvicër. Jam familjarisht me numër të madh në Zvicër, 5 vëllezër në Zvicër qëndrojmë, një në Gjermani dhe një në vendlindje. E gjithë familja jemi të lidhur ngushtë me vendlindjen, bëjmë edhe udhëtime të shumta. Vendlindjen e kam si preambula në Kushtetutë të gjithë mërgimtarët. Vendlindjen e kemi amanet, kurse flijimin për atdhe duhet ta kesh në preambulë”, tha Tupani. 

“Në të gjitha festat qëndrojmë këtu. Unë kësaj radhe kam mbushur 37 vjet që nuk kam prit Vit të Ri në Zvicër. Kjo më është bërë tash edhe si traditë. Sot e mora djalin në aeroport, pritet me ardh vajza me nipin e mbesën. Jem të lidhur edhe me familjarë që kam në Kosovë, motrat dhe vëllai. Gjithë kohës jemi së bashku”, tha ai. 

Për të dhe familjen e tij, asgjë nuk krahasohet me atmosferën festive në atdhe.
Pavarësisht angazhimeve dhe largësisë, ai ka arritur gjithmonë ta mbledhë familjen në vendlindje.

“Apeli im është që të gjithë mërgimtarët të vijnë në vendlindje pa marrë parasysh a është festë apo jo, sepse guri në vendlindje peshon më rëndë. Disa si shkak i kushteve nuk mund të vijnë, por mendjen, gjumin dhe ndejën e kanë të lidhur me vendlindjen. Vendlindja është ajri jonë, freskia jonë dhe mbushja me energji”, tha Tupani. 

“Të gjithë shqiptarëve kudo që janë urime festat, gëzofshi me të mira dhe pritshi ditë më të mira. Me shpresë që në vitin 2025 do të kemi mirëqenie më të mirë, avancim të ekonomisë dhe të përparojmë si të gjitha vendet e tjera”, tha ai. 

Ndonëse ka lindur në Zvicër, për Valonin, djalin e Sherifit, festat në Kosovë kanë një kuptim të veçantë.

“Që 27 vjet iu bashkëngjita familjes për festat e fundvitit në Kosovë. Një mesazh për krejt mërgimtarët, uroj që të kujdesen mirë për fëmijët e tyre t’i dërgojnë në Kosovë që të njihen me vendin. Kënaqësia për festa është më shumë këtu sesa jashtë shteti. Në Kosovë ka me qëndru dy javë.

Kam shoqëri edhe këtu. Sivjet dua me u fokusu më shumë në skijim, në Brezovicë”, tha Valon Tupani.   
Ndërsa për Sevdijen, gruan e Sherifit, bashkimi familjar në Kosovë për festa është kthyer në traditë.

“Urime festa e Vitit të Ri të gjithëve. Uroj krejt të mirat, të kenë suksese e kënaqësi se nuk ka më mirë se në Kosovë të festohen festat. Jam shumë e lumtur që më erdh djali nga Zvicra, shpresoj që mërgimtarët të vijnë në Kosovë sepse të gjithë mërgimtarët çmallemi me vendlindje. Çdo vjet vijmë këtu e festojmë Vitin e Ri me vajza me dhëndurë e me krejt, shpresojmë që të vijnë edhe ata sa më shpejt për të festuar”, tha Sevdije Tupani. 

Familja Tupani po përgatitet të mirëpresë rrethin e ngushtë e të gjerë familjar në banesën e tyre në Ferizaj, duke e shndërruar natën e ndërrimit të moteve në një festë të madhe familjare.