Rrahman Sefedini lëndën e kimisë ua mëson nxënësve në gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë.
Në Kosovë njihet edhe si ekspert i bombolave të gazit.
Jep kontributin e tij në ekspertiza të zjarreve që ndodhin në vend, në ligjërata të shumta që për temë kanë rrezikshmërisë nga zjarret, si dhe është pjesë e hulumtimeve shkencore.
Gjithashtu në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ka pozitën e ekspertit gjyqësor për mbrojtje nga zjarri.
Ai ka botuar edhe dy libra që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga zjarri.
Faktori njeri është shkaktari kryesor i shpërthimeve të bombolave, thotë eksperti.
Sefedini tregon se bombolat nuk duhen blerë nëse nuk dihet prodhuesi, si dhe certifikimi i tyre që i plotësojnë kushtet adekuate për përdorim.
Nga përvoja e tij paraprake si ekspert i bombolave të gazit tregon disa raste ku si shkak i pakujdesisë në përdorimin e bombolave kanë ndodhur fatkeqësi të mëdha.
Përmend edhe rastin e fundit, ku si shkak i një shpërthimi të një bombole janë lënduar 14 persona në Kçiq të Madh të Mitrovicës.
Rrahman Sefedini gjatë bisedës demonstroi fikjen e një bombole, e cila supozohet të jetë me defekt.
Ai tregon disa mënyra se si duhet të reagojmë në rast se bombola e gazit merr flakë.
Fatkeqësia në familjen 14-anëtarëshe në Kçiq të Madh të Mitrovicës nga shpërthimi i një bombole, që nga pas lufta është ndër rastet më të rënda në vend.