SOT

Ekspozita që kujton fëmijët e vrarë dhe të zhdukur në luftë

“Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”. Është kjo motoja e ekspozitës, së cilës i bashkëngjitet lista me emrave e 1.024 fëmijëve të vrarë dhe 109 fëmijëve të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Historia e disa prej fëmijëve dhe gjësendet e pakta që kanë arritur të shpëtonin, për tash e dy vjet tregohen në Qendrën e Dokumentimit (QDK).

Dëshira e familjarëve të mbijetuar që të kujtohen fëmijët që i humbën qe shtysa më e madhe që kjo qendër të nisë t’i mbledhë kujtimet e fundit që mbetën nga ta.

Dy dekada pas përfundimit të luftës, familjarët ende jetojnë me shpresën se një ditë do të ketë drejtësi për ta.

Edhe pse fillimisht qëllimi kishte qenë që ekspozita të ishte e hapur për një vit, vizitat e shumta që iu bënë këtij vendi bënë që të vazhdohet edhe më tej me të.

E, madje, kohëve të fundit, si pasojë e pandemisë, ekspozita pati mundësi të shfaqej edhe në mënyrë virtuale, ku familjarët e viktimave e të tjerët që jetojnë jashtë vendit arritën t’i kishin ende më pranë kujtimet e këtyre fëmijëve.

Por, të ruhen të gjitha këto veshje e gjësende të mbetura nuk është edhe aq e lehtë. Qendra po ashtu i ka ofruar të gjitha këto kujtime për dorëzim në Muzeun e Kosovës, por ende nuk kanë marrë mbështetje konkrete.

Kujtimet e 1.133 fëmijëve ruhen në Qendrën e Dokumentimit te biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, e të gjithë vizitorët mund t’i lënë përshtypjet e tyre në librin e shënimeve, që gjendet në hyrje të ekspozitës.