Eksperti Qazim Kukalaj, i cili njihet për njohuritë e tij në lidhje me bimët, thotë se është i shqetësuar me pamjen që ka marrë Prishtina.
Ai thotë se drunjtë kurrë nuk janë mbajtur më keq e tashmë kryeqyteti ka tharje masive të bimëve, sidomos te rrethi me flamur.
Jo vetëm humbje në mjedis, por moskujdesi nga Komuna e Prishtinës e ndërmarrja komunale “Hortikulturë” do të ketë edhe kosto financiare.
Më të dëmtuarat, sipas tij, janë rrapi dhe blini. Ai alarmon për tharje të tërësishme të këtyre llojeve.
“Hortikultura do të duhej të ishte në terren bashkë me Drejtorinë e parqeve”, thotë Kukalaj.
Në Gërmi disa bimë kanë marrë sëmundje të kërpudhave, e cila mund të përhapet nga njëra te tjetra nëse nuk merren masa.
Por në Komunën e Prishtinës thonë se nuk ka tharje nga moskujdesi, por nga temperaturat e larta.
“Drunjtë për t’i vërtetuar që janë të tharë zakonisht pritet një sezon, edhe pse në dukje dukën të tharë nga temperaturat e larta, gjasat janë të mëdha që nuk janë të tharë dhe rigjenerohen kur fillojnë të ulen temperaturat. Mirëpo, nëse vërtetohen që ata janë të tharë, Drejtoria i zëvendëson me drunj të rinj, ndërsa me të tharët merren nga “Hortikultura” dhe dërgohen në qendrën e kompostimit për t’u shndërruar në mulch, e ku prapë i kthehen natyrës. Nga “Hortikultura” marrim për çdo javë planet javore për ujitje. Me prioritet janë drunjtë që janë mbjellë vjet dhe sivjet, pasi që kanë nevojë më shumë. Ndërsa tharje masive nuk ka në Prishtinë, disa që janë mbjellë sivjet e kanë vegjetacionin e parë të tharë për shkak të temperaturave të larta, mirëpo drunjtë janë ende vitalë. Gjithashtu, shkencërisht 15-20% e drunjve qe mbillen kanë mundësi të thahen për shkak të përshtatshmërisë ndaj kushteve atmosferike, tokës, dhe dëmtimet nga faktori njeri”, thekson Donika Çeta, drejtoreshë e parqeve në Prishtinë.
Në vitin 2024 Komuna e Prishtinës do të vazhdojë me mbjellje të drunjve dhe regjenerim të hapësirave publike.
Gjithashtu për herë të parë do të bëhet inventarizimi i masave drurore, duke u evidentuar problemet, dëmtimet eventuale, llojet dhe specifikat e tyre me ekspertë profesionalë.