SOT

Ekonomistja e përkushtuar në prodhim të ajvarit

Studioi për ekonomi, por e ardhmja e solli duke u marrë me diçka tjetër në të cilën është shumë e zonja.

5 vjet më parë, Valdete Sahiti nga fshati Skifteraj i Vitisë nuk kishte pasur asnjë pajisje për përpunimin e prodhimeve vendore, por dëshira për t’u marrë me diçka e shtyu të ndjektë trajnime të ndryshme, e si rezultat i punës së madhe ndërkohë nga projekte të ndryshme përfitoi pajisjet elementare për prodhimin e ajvarit.

Të njëjtë sikurse në shtëpi e ka recetën e ajvarit.

Edhe specat piqen e pastrohen në mënyrë tradicionale, që shija, sipas saj, të jetë origjinale.

Në bazë të kërkesës edhe sasia për çdo vit po i shtohet, sipas saj, produktet e punuara nga ajo janë pa asnjë konservues.

24 orë duhet për përgatitje dhe puna nuk është fare e lehtë.

Fëmijët i ndihmojnë, porse në vjeshtë i duhet edhe më shumë fuqi punëtore.

Ëndrra e lënë në gjysmë për të përfunduar studimet në ekonomi nuk e zbehu edhe dëshirën për ta udhëhequr një biznes.

Thotë se është e lumtur që ka arritur të ketë një punë që udhëhiqet nga vetë ajo.

Klientët janë të shumtë, madje shumë prej mërgimtarëve shpeshherë kërkojnë që prodhimet e saj t’iu dërgohen në shtetet ku ata jetojnë.

Ajo, po ashtu, synim ka të mbushë edhe dyqanet e mëdha ndërkombëtare me kavanozat që mbajnë emrin e biznesit të Valdetes.

Pos ajvarit, ajo përkujdeset që klientëve t’u ofrojë edhe produkte të tjera të sezonit sikurse turshitë.