Nga Shkolla e Mesme e Ulët 2 (SH.M.U. - 2) në Vushtrri thonë se kanë dy nxënësit ndër më shembullorët në gjithë vendin.
Nxënësit e kësaj shkolle jo rrallëherë kanë arritur të bëjnë krenarë mësimdhënësit e tyre. Së fundmi herë Taulant Tahiri dhe Laurent Maxhuni sollën triumfin e tyre të arritur në garat e fizikës dhe kimisë.
Nxënësi i klasës së 9-të, Laurent Maxhuni, qysh i vogël kishte shprehur talentin dhe pasionin e tij për gjithësinë dhe universin. Edhe kur nuk kishte fare detyra shtëpie, Laurenti shuante kureshtjen e tij me njohuri të reja për fizikën, në të cilën lëndë doli i pari në gara komunale.
“Jam 14-vjeçar, qëkur kam qenë në klasën e 5-të gjithnjë kam pasur interesim për planetët e yjet, vrimat e zeza dhe prej atëherë njohuritë e mia i kam përforcuar. Këtë vit kam zënë vendin e parë në fizikë, në matematikë e në anën tjetër pasion kam programimin, ku edhe aty jam shumë i mirë. Duhet punuar shumë, por tek disa mund të jetë edhe talent. Motra ime është e mirë në kimi dhe tani studion mjekësinë, e unë kam menduar të vazhdoj gjimnazin natyror, por si profesion dua të bëhem inxhinier i softuerëve”, thekson ai.
Laurenti është nxënësi më i dalluar i klasës. Këtë e thotë edhe mësimdhënësja e tij, e cila tregon se edhe nxënësit e tjerë atë e shohin si shkencëtarin e së ardhmes.
“Në përgjithësi nxënësit e kësaj klase janë të mirë, por dallohet Laurenti. Qysh i vogël është vërejtur talenti i tij në lëndët shkencore, aftësia dhe inteligjenca janë parë qysh në fillim dhe jemi të lumtur që ai është pjesë e kësaj klase. Në një orë mungoi Laurenti dhe njëri nxënës tha për të se në të ardhmen e sheh si shkencëtar e ne të tjerët do të lexojmë librat e tij”, deklaron mësimdhënësja e lëndës së fizikës, Saxhide Gjyshinca-Bytyqi.
Nga një familje shkrimtarësh, Taulant Tahiri mori një drejtim tjetër ndryshe nga anëtarët e tjerë. Ai u fokusua në shkencë, ku edhe në garën e fundit kombëtare të kimisë të nivelit republikan e fitoi vendin e parë.
“Suksesi më i madh i deritanishëm ka qenë vendi i parë në lëndën e kimisë në gjithë Kosovën. Nga familja ime të gjithë janë shkrimtarë, gjyshi im ka shkruar disa libra e mua më pëlqejnë lëndët shkencore. Profesion ende nuk kam përcaktuar se çka dua të bëj në të ardhmen, por diçka që ka të bëjë me këto lëndë patjetër”, thotë ai.
Mësimdhënësi i Taulantit thotë të jetë krenari të udhëheqë një klasë, e cila ka nxënës shembullorë, ku secili është më i mirë se tjetri në fusha të ndryshme.
“Klasa jonë është e qetë e me nxënës që janë shumë të suksesshëm. Nxënësit tanë shpeshherë marrin pjesë në gara të ndryshme, ndër ta është Taulanti, i cili ka marrë pjesë në garën e kimisë e nga ku doli në vendin e parë në nivel republikan. Shkolla jonë ka kushte të mira, mësimdhënës të përkushtuar e patjetër se edhe nxënësit tanë do të jenë shembullorë kudo që të marrin pjesë”n deklaron mësimdhënësi i lëndës së biologjisë, Ramiz Parduzi.
Për Taulantin dhe Laurentin kjo nuk është hera e parë që kanë triumfuar me vende të para në gara komunale dhe ato republikane. E kur është afër koha e garave, mësimdhënësit e kësaj shkolle angazhohen me orë shtesë në mënyrë që nxënësit e tyre të japin rezultate më të mira.