SOT

Drilon Osmanaj promovon Istogun me pikturat e tij

Shtëpia e piktorit Drilon Osmanaj, nga fshati Trubuhovc i Istogut, nuk dallon shumë nga një atelie.

Ajo është e mbushur me pikturat që Osmanaj i ka punuar deri tash.

Pasioni që e ka për artin e ka bërë që deri më tani të realizonte mbi 300 vepra arti.

Shumicën e tyre i ka të realizuara në natyrë. Ai thotë se dëshirë më të madhe ka të pikturojë peizazhet.

Artisti tregon që gjatë kohës së tij të lirë zakonisht viziton bjeshkë të ndryshme të Rrafshit të Dukagjinit që të ketë sa më shumë ide për të pikturuar.

Përmes pikturës ai thotë se mundohet të promovojë natyrën e bukur të Kosovës.

Ngjyrat e kuqe, e gjelbër e bardhë dhe e verdhë dominojnë në shumicën e pikturave të tij, përdorimin e të cilave e bën përmes teknikave të ndryshme.

Një vepër arti e tij mund të kushtojë deri në një mijë euro. Por, Osmanaj thotë se kjo vlerë nuk ia shpërblen as mundin e tij.

Për finalizimin e një pikture atij i merr kohë deri në 1 muaj.

Piktori Drilon Osmanaj përpiqet që rëndësinë e artit t’ua përcjellë edhe nxënësve të të dyja shkollave fillore në Istog, ku ai ligjëron.