SOT

Dobraja, fshati me traditë në futboll

Fshati Dobrajë e Madhe njihet për traditën e futbollit dhe për emrat e mëdhenj që ka nxjerrë ndër vite. 

Banorët e këtij fshati thonë se në çdo shtëpi është diskutuar për futboll dhe se në shumicën e familjeve ka pasur futbollistë.

Një nga emrat që sot i bën krenarë shqiptarët është Edon Zhegrova, sulmuesi anësor i talentuar, i cili është pjesë e përfaqësues së Kosovës.  

Familja e tij, ndonëse e njohur më shumë për arritjet në arsim dhe profesione të tjera, është dëshmi e talentit të lindur për futboll në këtë zonë. 

Sipas kryetarit të fshatit, Skënder Gashi, Dobraja e Madhe e Lipjanit numëron rreth 600 shtëpi, prej të cilave 250 janë të pabanueshme. 

Ai thekson se sporti dhe sidomos futbolli ka qenë aktiviteti kryesor i banorëve prej vitesh. 

“Fshati Dobrajë e Madhe i ka rreth 600 shtëpi me mbi 1.700 banorë. Rreth 250 shtëpi janë të pabanueshme. Në këtë fshat mbizotëron më shumë sporti, mbi të gjitha futbolli. Me futboll jemi marrë të gjithë. Krejt rrethina e dinë se kur ka qenë një nënë apo motër e jona shtatzënë, kanë thënë se do të lindë një futbollist ose sportist. Familja  e Edon Zhegrovës nuk është dhënë shumë pas futbollit apo sportit në përgjithësi, por më shumë rreth arsimit. Ndërsa sa i përket Edon Zhegrovës, ne jemi shumë të lumtur që ka arritur një bashkëfshatar të shkojë aq lart me futboll. Jemi shumë krenarë. Unë e përshëndes Edonin dhe familjen e tij kudo që gjenden, ta dinë se na kanë bërë krenarë, sepse një yll të luajë në Francë e për Kombëtaren tonë normal që na bën krenarë”, deklaron Gashi. 

Ish-trajneri Sylejman Statovci, deklaron se të gjithë duhet të jenë krenar me Zhegrovën.

“Edhe pse familja e tij nuk ka qenë e dhënë pas sportit, Edoni ka dalë si talent dhe jemi krenarë si qytetarë. Të gjithë duhet të jenë krenarë për talentin e tij pasi që si lojtar është shumë i veçantë. Është i kalibrit të Messit dhe të Ronaldos. Lojtarët nga ky fshat, të cilët kanë luajtur në ligat më ta larta, janë: Artan Gashi, një grup i gjeneratave tona unë dhe disa të tjerë. Kohën e fundit e kemi edhe talentin me renome botërore Edon Zhegrova, i cili ka prejardhje nga fshati Dobrajë e Madhe. Ne jem krenarë për sukseset e Edonit”, thekson ai.  

Në vitin 1977, në Dobrajë të Madhe u themelua klubi i futbollit “Përparimi”. 

Sylejman Statovci, një ish-futbollist, trajner dhe mësimdhënës i edukatës fizike, kujton me nostalgji kohën kur futbolli mblidhte të rinj e të moshuar nga i gjithë fshati.

Sot klubi vazhdon të garojë në ligën e dytë të Kosovës, duke ruajtur traditën e futbollit në fshat.
“Përderisa fshatrat e tjera më shumë e kanë zhvilluar aktivitetin bujqësor, ne si fshat njihemi si të talentuar për futboll. Në çdo ndeshje këtu kanë marrë pjesë gjenerata të ndryshme, rini, moshë e mesme, por edhe më të vjetër. Kemi marrë pjesë në gara, jemi inkuadruar në Ligën e Parë, të dytë dhe në fund kemi marrë pjesë në Superligë. Gjatë aktivitetit në Superligë 1 vit nuk kemi mundur më tepër të rezistojmë për arsye se infrastruktura ka qenë shumë e dobët dhe lojërat i kemi zhvilluar zakonisht në ‘Ulpianë’. U rrëzuam nga liga shkaku i infrastrukturës dhe aktualisht klubi zhvillon lojëra në Ligën e Dytë të Kosovës”, thotë ai.  

Statovci ka një mesazh për Edonin, duke e ftuar ta vizitojë fshatin e tij të prejardhjes.
“Edoni është mirë të vijë te ne, të na takojë, personalisht unë kam dëshirë ta takoj atë pasi që unë kam punuar me gjyshin e tij dhe t’i tregoj disa gjana që ndoshta ai nuk i di dhe nuk i ka përjetuar se në çfarë kushtesh kemi luajtur futboll atëherë. Nëse vjen qytetarët e presin”, deklaron ai. 

Edon Zhegrova ka lindur në Gjermani dhe është rritur në Prishtinë, ku prindërit e tij u kthyen pas përfundimit të luftës. 

Fillimet e tij në futboll ishin në klubet vendore si Flamurtari dhe Prishtina. Ai vazhdoi në Belgjikë te grupmoshat e reja në Standard Liege dhe Sint-Truiden. Debutoi për seniorë te Genku në Belgjikë, ndërsa luajti te Baseli në Zvicër. Sot ai luan në Lille të Francës dhe është një prej lojtarëve kyç të Përfaqësueses së Kosovës.