SOT

Çmime të larta të pijeve në festivalin “Verë n’dimër”

Që nga orët e mëngjesit, Eron Begolli, pronar i njërës prej kafeneve të kryeqytetit, dhe stafi i saj kanë ardhur në sheshin “Xhorxh Bush”.

Gjithçka është gati për ta filluar këtë vit festivalin dimëror “Verë n‘dimër”, në Prishtinë.

Është hera e parë që ai ka arritur që të pajiset me një shtëpizë në kuadër të këtij festivali.

Çokollata e ngrohtë, çajra bimorë të ndryshëm dhe pijë alkoolike do t’ju  shërbejë qytetarëve ai për gjatë 45 ditëve të qëndrimit në këto hapësira.

Përveç këtyre, specialitet prej shtëpisë do të jetë edhe rakia, të cilën Begolli thotë se e përgatisin vetë, me një recetë të veçantë.

“Për këto 45 ditë do të mundohemi që t’iu shërbejmë klientëve në mënyrën më të mirë të mundshme. Do t’ju servojmë të gjitha llojet e çajrave të ngrohtë, po ashtu çokollatë të ngrohtë, që është më e kërkuara nga njerëzit, pije alkoolike e po ashtu specialitet e kemi edhe rakinë e shtëpisë që ne e përgatisim vetë; në Festival do t’i shërbejmë 3 lloje të kësaj rakie, si të dardhës, mollës dhe rrushit, dhe disa likera të manaferrës. Për neve është hera e parë që marrim pjesë, po shpresojmë që do të shkojë mirë gjithçka, të gjitha bizneset e tjera më pëlqyen, ishin në rregull”, thekson ai. 

3800 euro do t’iu kushtojë të gjithë bizneseve shfrytëzimi i shtëpizës për 45 ditë.

Çmim ky që sipas Begollit është i lartë, duke e krahasuar me vitet e kaluara.

“Mendoj që pak është e lartë pagesa e qirasë për 45 ditë sa kemi me qëndrua këtu. Nëse e bëjmë një krahasim me vitet e kaluara, çmimi është shumë herë më i lartë këtë vit. Në fillim kam menduar që të mos aplikoj fare, sepse edhe numri i shtëpizave ka qenë i madh. Ishim në dilemë në cilën pjesë të sheshit do të na bie shtëpiza, sepse secili biznes dëshiron që të ketë fitim të mjaftueshëm, sepse investimi nuk është i vogël. Unë mendoj që do t’ia vlejë, ne iu mirëpresim të gjithëve! Unë jam hy më shumë puna e reklamës, atmosfera është shumë e mirë dhe më pëlqen ta sfidoj veten. Iu mirëpresim të gjithëve në shtëpizën numër 44”, deklaron ai.

2 euro deri në 2.50 euro do të kushtojë një çokollatë e ngrohtë, 1.50 euro një çaj, kurse çmimet e pijeve alkoolike lëvizin nga 1.50 euro deri në 4.00 euro.

Këto çmime po iu duken të larta qytetarëve.

“Atmosfera shumë e mirë sidomos natën, këtë vit ka më shumë dekorime sesa viteve të kaluara. Megjithatë, mendoj që te pjesa e dekorimit kishin mundur edhe më mirë me e zbukurua. Unë sot kam pirë vetëm çokollatë, mirëpo çmimi ishte i lartë si çdo herë kur vendosen shtëpizat këtu. Besoj që do të vij edhe shumë herë të tjera gjatë Festivalit”, thekson Tuana Cakolli, qytetare.

“Atmosfera shumë e mirë në këtë pjesë, mirëpo në pjesët e tjera të sheshit nuk po më pëlqen, sepse bredhi i vogël. Mua këtu po më pëlqejnë shtëpizat, në fakt ngjyra shumë e mirë”, deklaron Janina Bunjaku, një tjetër qytetare.Festivali “Verë n‘dimër” ishte paralajmëruar që të hapej gjatë ditës së diel në orën 18:00, por  pa shpjegime shtesë nga ndërmarrja e cila e ka menaxhimin e festivalit “Sport & Marketing”, hapja zyrtare u shty për të hënën në po të njëjtën orë.