Për çiftin nga mërgata, Hafir dhe Ramize Hajdari, kafeja e mëngjesit ka shije më të veçantë kur pihet në atdhe.
Çifti, shtetas të Austrisë për më shumë se tri dekada, gjithmonë janë të gatshëm të kontribuojnë për vendin e tyre.
Në çdo zgjedhje që është mbajtur në Kosovë, ata e kanë shfrytëzuar mundësinë për të votuar nga Austria përmes postës.
Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë ata udhëtuan nga Austria për në Kosovë, vetëm për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Çifti bashkëshortor nga Lipjani thotë se kur bëhet fjalë për të ardhmen e Kosovës vota dhe çdo kontribut tjetër nga diaspora kanë rëndësi.
“Ne gjithmonë kemi votuar prej Austrisë me postë. E duam vendin tonë dhe gjithmonë jemi munduar të japim për Kosovën. Kam votuar edhe për lider të Austrisë, por për Kosovën është shumë më ndryshe. Shumë ndjenjë më ndryshe është të votosh në Kosovë dhe ju lus të gjithëve të dalin për të votuar për atë parti që e pëlqejnë. Partia nuk ka rëndësi cila fiton. Vetëm ajo parti që fiton duhet të kontribuojë për ne”, thekson Hafir Hajdari.
“Ne kemi ardhur nga Austria për në Kosovë që të votojmë, e ndiejmë si obligim qytetar për të votuar për Kosovën. Sepse është vendi ynë dhe e kem në zemër”, shton gruaja e tij.
Familja e gjerë e Ramize Hajdarit është nga Prishtina, ndërsa familja e bashkëshortit të saj vjen nga Lipjani.
Çifti është i lidhur ngushtë me vendlindjen dhe, brenda vitit, ata kalojnë deri në pesë herë pushime disajavore në Kosovë.
Përveç se kanë ardhur për të votuar, ata kanë marrë vendimin për t'u kthyer në Kosovë, pa marrë parasysh kush do ta qeverisë shtetin.
“Vendi, dheu dhe toka më thërret në Kosovë. Këtu e kam kaluar rininë. E rëndësishmja për mua thjesht të jetoj e të vdes në Kosovë. Sigurisht edhe në Kosovë mundesh të jetosh mirë, por në kohën kur ne kemi shkuar jashtë shtetit nuk kanë qenë këto kushte. Me thënë të drejtën në Austri punoj në ndërtimtari, jo në zyrë. Ndërsa me profesion jam arsimtar i kimisë dhe fizikës. Prej që kam shkuar në Austri në mendje e kam pasur ta krijoj një kapital dhe të kthehem bashkë me familje në Kosovë. Mendoj që e kam krijuar një kapital mjaftueshëm për t’u kthyer në Kosovë. Ëndrra ime po realizohet, tash e tutje jam kthyer dhe do të jetoj në Kosovë. Do të merremi me bahçe, bujqësi nga pak, pleqërinë ta kalojmë me shoqëri e vëllezër dhe rrethin familjar të gjerë. Arsyeja për t’u kthyer në Kosovë gjithmonë ka qenë, vetëm kam pritur kur të më jepet mundësia. Jam i kënaqur që m’u ka dhënë mundësia të kthehem në Kosovë dhe do të jetoj në fshatin Smallushë. Në Kosovë kemi ardhur gjatë vitit deri në 5 herë. Por ka ndodhë edhe gjatë vikendeve. Kemi qenë gjithmonë si familje të lidhur me Kosovë. Fëmijët tanë e kanë mësuar historinë e Kosovës përmes televizionit, KTV-së. Ata e duan Kosovën po si ne”, thekson ai.
Edhe Ramizja i gëzohet kthimit në Kosovë.
“Pasi i kemi fëmijët në Austri duhet të shkojmë pak andej, por edhe në Kosovë. Jemi të lirë që nuk e kemi të caktuar sa të qëndrojmë këtu e sa atje”, shton ajo.
Çifti nga diaspora ka katër fëmijë dhe shtëpia e tyre është gjithmonë plot me nipa e mbesa.
Hafir Hajdari thotë se është më mirë të jetosh në vendin tënd, sesa të jesh i shpërndarë nëpër botë.
Ai apelon te të rinjtë që të mos zgjedhin rrugën e kurbetit për të jetuar, por të shëtisin dhe, më pas, të kthehen në atdhe.
“Unë mendoj se me liberalizimin e vizave iu ka dhënë mundësia të rinjve të Kosovës të dalin nëpër Evropë dhe kudo që duan të shkojnë. Le të provojnë se si fitohet buka në Evropë e Amerikë. Të gjithë kthehen se vendi i tyre është gjithmonë më i mirë. Jetesa jashtë është sa punon edhe harxhon, ndërsa këtu fiton ndoshta më pak, por rehatia dhe liria shumë më e mirë”, deklaron ai.
Hafir dhe Ramize Hajdare janë vetëm dy prej shumë mërgimtarëve që kanë ardhur në Kosovë për të votuar në zgjedhjet parlamentare.