SOT

Burrniku, fshati që dikur banorët e braktisën, tani kërkohet për ndërtim vilash

Dikur në këtë vend kishin jetuar shumë banorë, porse tani e një kohë në fshatin Burrnik të Ferizajt mbizotërojnë qetësia dhe vetmia.

Këtë natyrë kaq mbresëlënëse shkaku i kushteve banorët ishin detyruar ta linin e të dilnin afër qytetit, porse koha po i risjellë përsëri në vendin e tyre të lindjes.

Bjeshkët e ajri i pastër po i tërheqin ish-banorët e po ashtu edhe të huajt për të rikthyer e blerë parcela për ndërtim vilash.

Shaban Qeli është njëri prej banorëve që la fshatin Greme për të nisur edhe një herë jetën që dikur e braktisi në Burrnik.

“Ne jemi nga fshati Burrnik, familja Qeli, ne jetojmë në fshatin Greme por aty nuk ka më leverdi, ju kemi kthyer blegtorisë e jetës, më e mirë kjo jetë në fshat sesa atje poshtë. Gjithmonë jemi marrë me blegtori dhe asnjëherë nuk ju kemi largu, por shteti nuk na ndihmon, sepse mua më duhen më shumë blegtori. Unë kam qenë dikur punëtor i huaj e familja më detyroi me i ble nga pronari, një vit qëndrova tek ai për të paguar këto që kam tani”, thotë ai.

Qeli thotë se nga blegtoria po arrin të mbajë familjen, porse synim ka shtimin e tyre me qëllim që më të mos largohet nga vendi i lindjes.

“Dita jonë me pak blegtori nuk është ditë e mirë, më duhen mbi 100 sosh për të pasur leverdi, për momentin kam 62 copë. Produktet i shes nëpër restorante dhe kur vjen koha për kurbana atëherë kam punë, paguhet mirë nëse ke më shumë blegtori. Burrniku dikur ka qenë fshat shumë i madh, vetëm familjet Qeli kanë qenë 120 shtëpi, e në fshat ka pas edhe më shumë shtëpi, të gjithë u larguan për mungesë të kushteve infrastrukturore”, tregon ai.

Nehat Hasani banon pak kilometra larg Burrnikut, porse thotë se çdo ditë e viziton dhe shijon natyrën. 

Shton se dita-ditës vëren fluksin e banorëve që po interesohen për fshatin.

“Unë jam nga fshati Gaçkë, dal në Burrnik shkaku bukurisë natyrore, gati çdo ditë e vizitoj, e kam pasion natyrën e kafshët e egra, ka ajër të pastër këtu dhe nuk ka shumë njerëz. Unë jam pjesë e ndryshimeve sepse edhe unë kam blerë tokë, ka banorë që janë larguar nga mungesa e kushteve, porse tani kanë fillu një pjesë e tyre me u kthy e me u marr me bujqësi, e disa ka që vetëm për qejf po blejnë toka për të ndërtuar vila”, thotë Hasani.

Si pasionant i natyrës, ai tregon se Burrniku është i pasur me florë e faunë, të cilat janë të rralla në Kosovë.

“Kam dëshirë ta mbroj faunën e egër, madje kam të vendosura kamera të fshehta për të përcjellë jetesën e kafshëve të egra. Ky fshat përveç rrëqebullit, gjitha kafshët e egra janë këtu, nuk është siguri e madhe për banorët për shkak prezencës së tyre, mirëpo deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident, do doja që gjahtarët me e mbrojt natyrën dhe kafshët e egra e të mos i dëmtojnë kafshët”, thekson Hasani.

Kryetari i fshatit, Ilir Shabani, flet për jetesën e dikurshme në këtë vend,. Thotë se tash fshati ka të gjitha kushtet e duhura për të jetuar sikurse më herët. 

“Fshati Burrnik njihet si fshat i qetë me ambient të mirë e të pastër, më herët kanë qenë deri në 1200 banorë, me kalim të kohës e ardhurat jo të mira  bënë që të braktisin fshatin, e tani janë të gjitha kushtet, ka ndriçim publik, energji elektrike, ujës dhe dalëngadalë po kthehen në vendlindje, po bëhen shtëpi banimi”, thotë Shabani.

Sipas tij, aktualisht janë 2 banorë rezidentë në Burrnik, porse afërsia me qytet dhe interesimi i Komunës për zhvillimin e kësaj hapësire së shpejti do të rrisë numrin e tyre.

“Komuna veçse ka filluar me punime për të bërë lidhjen e Burrnikut me fshatra përreth, sezoni i dimrit është pak i vështirë por operatorët kujdesen që të mirëmbajnë edhe rrugët e këtij fshati. Besoj se me infrastrukturën e mirë do të bëhet edhe më i gjallëruar ky fshat, do kthehen banorët sikur dikur”, tregon Shabani.

Që nga koha e pandemisë shumë qytetarë u janë rikthyer fshatrave të tyre për të shijuar natyrën dhe larg jetës urbane.

Kjo po ndodh edhe në fshatin Burrnik, i cili është rreth 15 kilometra larg qytetit të Ferizajt, ku kohëve të fundit ka filluar të popullohet dhe të shtohet numri i shtëpive e i vilave.