SOT

Bukuritë e malit të Kuçicës që po tërheqin vizitorët vendorë

Megjithëqë ende nuk kanë çelur të gjitha pemët, bukuritë e malit të Kuçicës janë mahnitëse edhe gjatë sezonit dimëror.

Nëpër të kalon lumi i Klinës që e bën këtë vend edhe më të veçantë.

Ky është vendi që banorët e Drenicës kanë filluar ta vizitojnë shpesh në kohën e tyre të lirë.

“Për momentin jemi në fshatin Stërmc i Epërm, përndryshe janë malet e Kuçicës siç njihen këtu në pjesën ku unë banoj apo në Skenderaj. Janë në pjesën veriore të Skenderajt, realisht jemi në dalje të Skenderajt. Këto janë bjeshkë që kohëve të fundit, ndoshta pesë vitet e fundit vizitohen nga gjithë qytetarët e Komunës së Skenderajt por edhe nga vendet e tjera. Tashmë është bërë rrugë e re dhe është edhe më e vizituar nga njerëzit”, thekson banori i Skenderajt Ferid Bajraktari. 

Ndërtimi i rrugës së re ka bërë që të rritet numri i vizitorëve edhe nga qytetet e tjera të Kosovës.

“Kuçica ka banorë mjaftueshëm, pra këtu e vizitojnë më së shumti banorët e Kuqicës dhe të Klinës së Epërme. Mirë, nuk është keq, ka që kanë migruar jashtë shtetit, por edhe brenda Kosovës në qytetet tjera. Ne i vizitojmë shpesh fshatrat serbe dhe shkojmë edhe me veturë shpejt dhe nuk ka asnjë problem, s’ka pas as në të kaluarën. Vitin e fundit kemi takuar shumë njerëz që kanë ardhur nga Prishtina, Prizreni apo qytetet e tjera, të cilët i kanë parë nëpër video të ndryshme. Më parë ka qenë e vështirë të vihet këtu për shkak se nuk ka pasur rrugë, tani ka shumë banorë që vijnë nga kureshtja për ta parë këtë pjesën veriore që të lidh me Ujmanin”, deklaron Bajraktari.

Përreth kësaj bukurie janë disa fshatra të banuara me shqiptarë e disa edhe me serbë. 

“Këtu rrethohet nga fshati Kërligatë, pastaj në këtë anë është Stërmci i Epërm, është i banuar me rreth 12 shtëpi serbe. Pastaj në pjesën atje lart është Prevllaku dhe Ujmani. Ky është lumi Klina ku prej këtu ka rreth 12 kilometra në drejtim të burimit përndryshe në pjesën tjetër shkon kah Kuçica, i kalon tri Klinat e Skenderajt dhe derdhet në Drinin e Bardhë. Realisht bukuritë janë shumë, kanë filluar tashmë të çelin pemët që janë këtu. Është e banuar prej florës e faunës ku realisht vizitori më i shpeshtë është dreri i egër, kaprojtë, ka lepuj, arinj, ujq. Unë dhe një grup i shokëve e vizitojmë shpesh me motorë. Kjo është pjesa ku e vizitojmë më së shpeshti. Pra këtu është një pikë qëndrimi që rrimë rreth gjysmë ore çdoherë kur dalim”, thotë Bajraktari.

Megjithatë, kafshët e kësaj zone po rrezikohen për shkak të shkatërrimit të mjedisit.

“Pjesa më e madhe janë të kujdesshëm nganjëherë ka edhe raste kur nuk janë por janë duke shkuar duke u vetëdijesuar se duhet ta ruajnë ambientin, por edhe kujdes ndaj kafshëve. Kafshët që janë në këtë pjesë janë në rrezik, është dreri por nuk e gjuajmë. Ka gjuetarë goxha shumë, por që nuk gjuhet, të paktën nuk e kam pa askënd duke e gjuajtur. Është derri i egër që e gjuajnë”, deklaron Bajraktari.

Sa i përket ajrit, Bajraktari thotë se ky mal ka edhe pisha që janë shumë të mira për shëndet.

“Ajri është shumë i pastër. Kjo pjesa ku jemi, është 720 metra lartësi mbidetare, pastaj në Prevllak është 1050 dhe është lumi që është shumë i pastër dhe ajri po ashtu. Në këtë pjesën këtu janë edhe pishat që janë shumë të mira edhe për shëndet. Ajri është i pastër pasi nuk ka asgjë që e ndot. Viteve të fundit është bërë edhe shtegu për atletikë apo siç njihet ndryshe Vrapimi i Nëntorit, ku marrin pjesë shumë njerëz. Sot për sot është një atraksion shumë interesant për banorët e kësaj treve”, thekson ai.

Në këtë zonë pritet të ndërtohet Penda e Drenicës, një projekt dhjetëra miliona euro, i cili pritet të zgjidhë përfundimisht problemin e ujit të pijshëm për mbi 200 mijë banorë.