Pas 12 vjetësh jetesë në kryeqytet, Gazmend Hajrizi u shpërngul në fshatin Keqekollë për të filluar një jetë të re.
Ai e ndërtoi vetë fermën, ku aktualisht mban 21 krerë lopë.
Fillimisht kishte nisur me vetëm 7 krerë lopë, por më vonë e rriti numrin e tyre.
“Këtu në fshatin Keqekollë merrem me bujqësi e blegtori. I kam bë 12 vjet prejse këtu në fshat jam shpërngulur prej Prishtinës. E dua këtë punë që e bëjë dhe fillimisht e pata nisur me 7 e pastaj veç e kam shtuar numrin e tyre, por për momentin i kam 21 që i mbaj”, thotë Hajrizi.
Ditët e fermerit të Keqekollës fillojnë çdo mëngjes në orën 5:30. Ai thotë se bashkëshortja e tij e ndihmon gjithmonë në punët që kërkon ferma.
Me paratë e fituara nga shitja e qumështit ka arritur të sigurojë pajisjet për mjeljen e lopëve dhe punët e tjera në fermë.
“Mëngjeset për neve këtu nisin në ornë 5:30 dhe përfundojnë në orët e vona të mbrëmjes. Duhet me u qu herët me e qu qumështin për shitje, pastaj me e heq plehun e procedurat e tjera këtu në fermë. Fatmirësisht më përkrah shumë familja, sidomos bashkëshortja që më ndihmon me këto punë e gjithashtu e lehtë është për neve shkaku që pajisjet i kemi thuajse të gjitha”, thekson Hajrizi.
Fermeri thotë se nuk do të mund të punonte më për dikë tjetër.
Ai e ka gjetur veten në punën me fermën e lopëve, nga të cilat ka arritur të fitojë deri në 2.500 euro në muaj.
“Vitin e kaluar i kam pasur 11 lopë qumështore. Prej tyre kam arritur që ta kem një rrogë prej 2500 eurosh. E sivjet i kemi 18 lopë qumështore e besoj që do të kemi edhe më shumë fitime”, tregon Hajrizi.
Fermeri Hajrizi thotë se dikur lopët i mbante në serrë, derisa ndërtoi vetë fermën që ka sot.
“Afër 5 vjet i kam mbajt lopët në një hapësirë krejt të vjetër, si serrë. Pastaj me mundësitë që kisha nuk u ndala dhe e ndërtova vet këtë fermë, e prej fitimeve nga lopët arrita që t’i siguroj edhe pajisjet që i kam në dispozicion”, thotë Hajrizi.
Fermeri nga Keqekolla thotë se e vetmja mungesë që ka është rruga e pashtruar, të cilën duhet ta përshkojë disa herë gjatë ditës për nevojat e tij të përditshme.
“Fatmirësisht Ministria e Bujqësisë na ndihmon shumë përmes subvencioneve edhe për qumësht edhe për gjëra tjera. Ne këtu e kemi vetëm një problem e ai është rruga. As nuk e kemi me zhavorr e as të asfaltuar. Kërkesën e vetme e kam që të paktën në zhavorr të na e shtrojnë, se këtë rrugë më duhet disa herë me e bë gjatë ditës, si për dërgimin e qumështit ashtu edhe për t’i dërguar fëmijët në shkollë”, deklaron Hajrizi.
Pavarësisht vështirësive si fermer, për shkak të mungesës së rrugës në fshatin e tij, Gazmendi thotë se ka dëshiruar gjithmonë të jetojë atje.
Pa e menduar shumë, ai u zhvendos nga kryeqyteti në Keqekollë, ku familjen e mban pikërisht nga ferma që ka ndërtuar.