SOT

Boksieri i ri që nuk e deshi ikjen nga Kosova, kushtet e detyrojnë ta mendojë

Nga amator në profesionist në boks.

I riu nga Gjakova, Jozef Rrasi, e nisi karrierën e tij në boks që në moshën 12-vjeçare.

Hapat e tij të parë në këtë sport luftarak i bëri së bashku me vëllain, i cili sot bokson jashtë Kosovës, ndërkohë që Jozefi ka vendosur të qëndrojë në vendin e tij.

Megjithatë, ai thotë se shpenzimet e larta që kërkon ky sport dhe kushtet jo të mira për stërvitje në palestrat e Gjakovës po e detyrojnë ta mendojë largimin nga Kosova.

“Boksin e kam filluar në moshën 12-vjeçare. E kemi nisur karrierën bashkë me vëllain, por ai tash jeton dhe bokson në Zvicër e unë mbeta këtu në vendin tim e po vazhdoj me u marrë me boks qysh prej asaj moshe. Nuk e kam ndërprerë asnjëherë, përveç kur e kam pasur ndonjë lëndim. Tash kam kaluar në boksin profesionist, por përkushtimi ndaj këtij sporti po më detyron ta mendoj edhe largimin tim nga shteti për shkak të kostos së lartë që ky sport e kërkon dhe me financa personale është e vështirë”, thekson Rrasi.

Stërvitjet e boksierit nga Gjakova e ndihmojnë për ta gjetur qetësinë. 

Si i ri ai i ka dhënë prioritet zhvillimit të karrierës përpara argëtimit dhe daljeve.

“Boksi edhe pse është një sport luftarak për mua është edhe sport që të qetëson shumë. Nëse jam i shqetësuar ose jam me nerva gjatë ditës, mjafton ta kem një thes boksi përpara dhe aty e shfryj të gjithë mllefin e pastaj në jetë të përditshme jam shumë i qetë. Dua t’i përkushtohem aq shumë boksit, saqë me të thënë të drejtën ia kam ndaluar vetes thuajse të gjitha daljet edhe me familje e shoqëri, sepse të dyja njëkohësisht nuk mund t’i bësh në këtë sport”, deklaron ai.

Përveç përgatitjes fizike, Jozefi thotë se ana psikologjike është gjithashtu shumë e rëndësishme për një boksier.

Me t'u futur në ring, shpesh ai vëren provokimet nga boksierët kundërshtarë, si nga ata vendorë ashtu edhe nga ata të huaj, andaj ai punon shumë për të forcuar psikikën e tij. 

“Ka boksierë që provokojnë shumë sapo të hysh në ring. Sidomos këtë meçin e fundit që e kisha në Gjermani bënte shumë provokime, por unë nuk bie në to. Punoj shumë me veten çdo ditë që të mos ndikohem kur shfaqem në ring. Ndonjëherë më shumë i jap rëndësi anës time psikike, sesa asaj fizike”, deklaron Rrasi.

Disiplinën si sportist dhe forcën e goditjeve e vërejtën që në fillim trajnerët e Jozefit.

Ai, edhe sot e kësaj dite, punon me të njëjtën përkushtim si në ditën e parë, pavarësisht mungesës së kushteve në palestrat ku stërvitet, shprehet trajneri i tij.

“Jozefi ka startu si 12-vjeçar, fatmirësisht me përkrahje të madhe nga familja e tij, por edhe nga ne trajnerët e tij. Puna, përkushtimi e disiplina e tij e kanë sjellë Joezfin deri këtu. Sot me të kemi arritur t’i realizojmë shumë meçe, madje tash ka kaluar edhe në boksin profesionist ku të dyja i ka me fitore. Meçet që i ka zhvillu nuk kanë qenë të lehta, sepse ka pasur ballafaqim me kampionë të vendeve të ndryshme, por angazhimi maksimal i tij ka bërë që edhe t’i mposhtë”, ka deklaruar trajneri Sejdi Nivokazi.

I riu Jozef Rrasi thotë se nuk e ka dëshiruar kurrë largimin nga shteti i tij, por as nuk e do shkëputjen nga boksi.

Kjo është arsyeja që ai po e mendon shqyrtimin e ofertave jashtë vendit, për shkak të mungesës së financave dhe asaj institucionale në Kosovë.