Nga puna në ara që bënte dikur, tashmë mëngjeset i nis ndryshe.
Pas daljes nga shtëpia, destinacioni i tij është ferma, për të cilën thotë se i sjell qetësi shpirtërore.
Si fillim, i mbledhë të gjitha delet dhe i ndan qengjat nga to, e mandej i ushqen me shumë dashuri.
Kjo është rutina e Arsim Potokut, nga fshati Ballofc i Podujevës, që nga dy krerë dele sa i kishte, tanimë numëron rreth 70 të tilla.
“Hashanka” dhe “Garushka” janë dy racat që i kultivon blegtori.
Ai thotë se ideja për themelimin e fermës i erdhi pasi nuk donte të migronte jashtë Kosovës.
Potoku thotë se, përveç që bën shitjen e mishit për kurban, qumështi i deleve nuk është shumë i kërkuar në tregun e Llapit.
Kurse sa i përket subvencioneve, ai pohon se këtë vit për herë të parë Ministria e Bujqësisë e ka subvencionuar me nga 30 euro për kokë të deles, mirëpo jo edhe komuna.
Drejtoresha e Bujqësisë në komunën e Podujevës, Lirie Hoti, e pranon që këtë vit nuk kanë subvencione për blegtorët që kultivojnë dele.
Qengjat në fermën e Potokut tanimë janë 3 muaj dhe po përgatiten për therjen, e cila do të ndodhë edhe tre muaj, për festën e Kurban Bajramit.
Çmimi për Kurban vitin e kaluar ka qenë 160 euro, kurse këtë vit Potoku pret që ky çmim të ngrihet.